Vrasja e Liridona Ademajt, Apeli vulos burgimin e përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën
30 vite për Kushtrim Kokallën
Gjykata e Apelit në Kosovë ka konfirmuar dënimet për tre të dënuarit për vrasjen makabre të Liridona Ademajt, duke lënë në fuqi burgimin e përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën, si dhe dënimin me 30 vite heqje lirie për Kushtrim Kokallën.
Vendimi është marrë më 23 nëntor 2026 dhe konfirmon në tërësi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të shpallur më 21 prill 2026, kur të tre të pandehurit u gjetën fajtorë për përfshirjen në vrasjen e 30-vjeçares, ngjarje që tronditi opinionin publik në Kosovë dhe Shqipëri.
Në shqyrtimin e çështjes, Apeli vlerësoi se vendimi i shkallës së parë ishte marrë në përputhje me dispozitat e procedurës penale dhe nuk përmbante shkelje thelbësore që do të justifikonin ndryshimin apo anulimin e tij. Sipas trupit gjykues, aktgjykimi ishte i qartë dhe arsyetimi i gjykatës së shkallës së parë ishte në përputhje me përfundimet e arritura.
Kolegji që shqyrtoi çështjen përbëhej nga Mentor Hajra në cilësinë e kryetarit, Xhevdet Abazi si gjyqtar raportues dhe Arben Hoti si anëtar.
Si u organizua vrasja e Liridona Ademajt?
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, në një ngjarje që fillimisht u raportua si grabitje me pasojë vdekjen. Megjithatë, hetimet dhe procesi gjyqësor zbuluan një skenar krejt tjetër: sipas përfundimeve të Gjykatës Themelore, vrasja ishte organizuar nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Nga shqyrtimi gjyqësor rezultoi se motivet e krimit lidheshin me konfliktet dhe marrëdhëniet e përkeqësuara martesore, si dhe me interesin financiar që Murseli synonte të përfitonte përmes një police sigurimi jete në emër të viktimës.
Vlera e sigurimit arrinte në 3 milionë korona suedeze, një element që u përfshi në arsyetimin e gjykatës për motivin e krimit.
Sipas aktakuzës, plani për eliminimin e Liridonës ishte hartuar nga Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla. Murseli i kishte premtuar Plavës 30 mijë euro në këmbim të kryerjes së vrasjes, ndërsa Kokalla kishte shërbyer si ndërmjetës në njohjen mes dy të tjerëve.
Plava ishte personi që, sipas Prokurorisë, ekzekutoi planin kriminal.
Një tjetër element i rëndësishëm i dosjes ishte sigurimi i armës së përdorur në krim. Prokuroria pretendoi se Murseli e kishte blerë atë për 280 euro nga Tom Dodaj.
Ky i fundit kishte pranuar fajësinë për shitjen e armës dhe ishte dënuar fillimisht me pesë vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Megjithatë, në dhjetor 2025, Gjykata e Apelit ndryshoi masën e dënimit, duke e ulur atë në tre vite burgim dhe 3 mijë euro gjobë.
Aktakuza ndaj tre të dënuarve kryesorë u ngrit më 15 janar 2025, ndërsa vendimi i shkallës së parë u shpall më 21 prill 2026. Me vendimin e 23 nëntorit 2026, Gjykata e Apelit konfirmoi dënimet e dhëna.
Vrasjet e grave në Kosovë, një plagë që vazhdon të marrë jetë
Rasti i Liridona Ademajt, e cila la pas dy fëmijë të mitur, u kthye në një nga ngjarjet më tronditëse të dhunës ndaj grave në Kosovë. Krimi nxiti protesta dhe reagime të shumta publike, duke rikthyer në qendër të debatit përgjegjësinë institucionale dhe nevojën për mbrojtje më efektive të grave që përballen me dhunë në familje.
Por vrasja e Liridonës nuk është një rast i izoluar. Të dhënat për dhjetë muajt e parë të vitit 2026 tregojnë se në Kosovë janë vrarë tetë gra, në pjesën më të madhe nga bashkëshortët, partnerët apo persona të tjerë të afërt.
Një prej rasteve më të rënda ishte vrasja e Arlinda Zekajt, më 25 tetor, në Vitomiricë të Pejës. Nëna e një djali të mitur dyshohet se u vra nga kunati i saj, vetëm pak minuta pasi ishte kthyer në banesë e shoqëruar nga policia.
Rasti mori përmasa edhe më shqetësuese për shkak të historikut të denoncimeve për dhunë në familje. Arlinda Zekaj kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë nga institucionet dhe, vetëm tri ditë para se të vritej, ishte ankuar te kryeprokurorja e Pejës për mënyrën se si po trajtohej çështja e saj. Ajo kishte paralajmëruar se ndodhej në rrezik për jetën.
Vrasja shkaktoi reagime të forta dhe protesta në Prishtinë, ku qytetarët kërkuan drejtësi për viktimën dhe përgjegjësi për institucionet që kishin pasur dijeni për denoncimet e saj.
Për të hetuar rrethanat e rastit dhe përgjegjësinë e mundshme institucionale, Kuvendi i Kosovës ngriti gjithashtu një komision të posaçëm parlamentar. Në fokus të tij është edhe mënyra se si institucionet shtetërore trajtojnë rastet e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje.
Alarmi global: Çdo 10 minuta vritet një grua nga partneri ose familjarët
Dhuna vdekjeprurëse ndaj grave nuk është një problem që kufizohet vetëm në Kosovë. Përmasat e saj janë alarmante në nivel ndërkombëtar.
Sipas raportit të përbashkët të UN Women dhe Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), gjatë vitit 2024 rreth 50 mijë gra dhe vajza u vranë nga partnerët intimë ose pjesëtarë të familjes.
Shifrat tregojnë se mesatarisht 137 gra dhe vajza humbën jetën çdo ditë nga këto krime, ose një viktimë në çdo dhjetë minuta.
Nga rreth 83 mijë gra dhe vajza të vrara qëllimisht gjatë vitit 2024, afërsisht 60% u ekzekutuan nga persona me të cilët kishin lidhje familjare apo intime. Në kontrast, vetëm 11% e burrave të vrarë u ekzekutuan nga partneret apo pjesëtarë të familjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



