Vlora në protestë për ujin para bashkisë
Situata e mungesës së ujit të pijshëm në Vlorë ka hyrë në ditën e pestë, duke sjellë përshkallëzim të protestave qytetare përballë Bashkisë.
Gjatë protestës së zhvilluar sot, banorët kanë hedhur vezë dhe letra higjenike drejt godinës së Bashkisë, në shenjë revolte ndaj ndërprerjes disa-ditore të furnizimit me ujë. Protestuesit tentuan të hynin në ambientet e Bashkisë, por pa sukses.
Me shishe bosh në duar, qytetarët u zhvendosën më pas në rrugën kryesore, duke paralajmëruar bllokimin e saj nëse nuk do të ketë reagim të menjëhershëm nga autoritetet vendore.
Protestuesit kërkuan një takim urgjent me kryetaren e Bashkisë, Brunilda Mersini, duke theksuar se mungesa e ujit po u vështirëson seriozisht jetën e përditshme. Në shenjë proteste, ata u ulën këmbëkryq në mes të rrugës, duke artikuluar thirrje të forta kundër pushtetit vendor.
“Na kthyen në Mesjetë! U bëmë si në epokën e gurit!”, u shprehën qytetarët, ndërsa kërkojnë zgjidhje të menjëhershme për krizën e ujit që ka paralizuar qytetin/ Xh Rrokaj
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


