E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vlora pa ujë, qytetarët drejtojnë gishtin nga Arben Avduli
Lajme

Vlora pa ujë, qytetarët drejtojnë gishtin nga Arben Avduli

Dyshimet lidhen me kantierin e biznesmenit dhe jo “fatkeqësi natyrore”

Sot bëhen pesë ditë që qyteti i Vlorës përballet me mungesën e ujit të pijshëm. Pavarësisht deklaratave zyrtare se furnizimi ka nisur të rikthehet gradualisht, dhjetëra qytetarë kanë raportuar se shumë zona të qytetit vijojnë të jenë pa ujë.

Një pjesë e qytetarëve kanë dërguar edhe pamje, ku uji që ka mbërritur në rubineta paraqitet i turbullt, me ngjyrë dhe me aromë të rëndë. Sipas tyre, uji nuk është i konsumueshëm dhe përbën rrezik për shëndetin.

Në këtë situatë, një qytetare ka ngritur dyshime serioze lidhur me shkakun real të dëmtimit të tubacionit kryesor, i cili la Vlorën pa ujë për disa ditë me radhë. Në një video të mbërritur në redaksinë tonë, ajo shfaqet duke shkuar vetë në vendin ku është çarë tubacioni dhe duke filmuar zonën përreth.

Sipas saj, dëmtimi ka ndodhur brenda një kantieri ndërtimi, të cilin ajo e identifikon si kantier të biznesmenit Arben Avduli. Qytetarja vë në pikëpyetje deklaratën e kryetares së Bashkisë së Vlorës, Bruna Mersini, e cila një ditë më parë e cilësoi ngjarjen si “fatkeqësi natyrore”.

“Nuk ka asnjë shenjë shkarjeje dherash këtu. Muri është në rregull. Pas murit është kanal. Nga kanë ardhur dherat? Si ka mundësi që shkarja të ketë ndodhur brenda kantierit? Ky është kantieri i Arben Avdulit”, shprehet ajo në video, duke ngritur dyshime mbi versionin zyrtar.

Edhe një qytetar tjetër pretendon se dëmtimi i tubacionit ndodhet brenda të njëjtit kantier ndërtimi dhe se, sipas tij, askush nuk po flet publikisht për këtë çështje për shkak të lidhjeve politike që ai pretendon se biznesmeni në fjalë ka me Partinë Socialiste.

Ndërkohë, kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Bruna Mersini, në një deklaratë për mediat, është shprehur se problemi nuk është në përgjegjësi të bashkisë dhe se dëmtimi i tubacionit ka ardhur si pasojë e një “fatkeqësie natyrore”.

“Kjo është një fatkeqësi natyrore, nuk duhet përdorur për politikë. Nuk është momenti të bëjmë analiza dhe të gjejmë fajtorin, por të japim zgjidhjen”, deklaroi ajo, duke shtuar se pjesët rezervë po vinin nga Turqia dhe se po aplikohej një zgjidhje e përkohshme me furnizim të pjesshëm dhe shpërndarje uji përmes autobotëve.

Megjithatë, pesë ditë pa ujë në prag të festave të fundvitit, si edhe raportimet e shumta nga qytetarët për mungesë totale të furnizimit ose ujë të papijshëm, kanë shtuar indinjatën dhe dyshimet në qytet.

Sa i përket biznesmenit Arben Avduli, ai njihet si pronar dhe administrator i kompanisë së ndërtimit “Avduli shpk”, e cila ndër vite ka përfituar miliona euro nga tendera publikë. Çdo lidhje mes aktivitetit të kësaj kompanie dhe dëmtimit të tubacionit mbetet, në këtë fazë, për t’u verifikuar nga institucionet përgjegjëse.

Video nga JOQ:

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.