E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vrasja e efektivit të Shqiponjave, Prokuroria heton zinxhirin drejtues
Lajme

Vrasja e efektivit të Shqiponjave, Prokuroria heton zinxhirin drejtues

Prokuroria, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), ka zgjeruar hetimet pas ngjarjes së rëndë në Korçë, ku efektivi i forcave “Shqiponja”, Enea Mekolli, humbi jetën gjatë një operacioni për arrestimin e të shumëkërkuarit Violand Bracellari.

Në fokus të hetimit nuk është vetëm dinamika e përplasjes me të kërkuarin, por edhe mënyra se si është organizuar dhe drejtuar operacioni policor. Prokuroria po verifikon nëse për kapjen e Bracellarit kishte një plan operacional të detajuar dhe nëse, përpara ndërhyrjes, ishin vlerësuar siç duhet rreziqet dhe masat e sigurisë për efektivët.

Në kuadër të hetimit po kryhen disa akt-ekspertime, përfshirë verifikimin e armëve dhe pajisjeve mbrojtëse me të cilat ishin pajisur policët që morën pjesë në operacion. Po ashtu, ekspertët po analizojnë mënyrën se si u krye ndërhyrja dhe pozicionimin e efektivëve gjatë aksionit.

Nga ana tjetër, Policia e Shtetit ka deklaruar zyrtarisht se në operacion morën pjesë 10 efektivë dhe se ndërhyrja ishte zhvilluar mbi bazën e një plani operacional.

Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e Malit të Bodesë, në Maliq, ku forcat e policisë iu afruan stanit ku qëndronte Bracellari për ta arrestuar. Në momentin e ndërhyrjes, i shumëkërkuari hapi zjarr, duke goditur për vdekje efektivin Enea Mekolli. Në përleshje u plagos edhe kolegu i tij, Edison Adri.

Bracellari ishte shpallur në kërkim dhe ishte dënuar me 10 vite burgim për trafik narkotikësh. Ai konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë dhe prej kohësh jetonte në arrati në një zonë të thellë malore, ku kishte ngritur edhe një stallë.

Edhe kjo e fundit është futur në lupën e Prokurorisë. Sipas të dhënave të hetimit, stalla ishte ngritur me fonde të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) dhe mënyra se si janë përfituar dhe përdorur këto fonde po verifikohet nga organi i akuzës.

Në një tjetër pistë, hetuesit po shqyrtojnë edhe dyshimet se Bracellari mund të ketë pasur kontakte ose mbështetje nga persona brenda strukturave policore, të cilët mund ta kenë ndihmuar të qëndronte i fshehur për një periudhë të gjatë.

Megjithatë, deri në këtë fazë, hetimet nuk kanë prodhuar prova që të konfirmojnë përfundimisht një përfshirje të tillë.

Në fokus mbetet tashmë pyetja se si u planifikua operacioni, çfarë informacioni dispononte policia për rrezikshmërinë e të kërkuarit dhe nëse masat e marra ishin të mjaftueshme për mbrojtjen e efektivëve. Përgjigjet pritet të dalin nga akt-ekspertimet dhe verifikimet që po zhvillohen nga Prokuroria dhe AMP.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.