Vrasja e Nikulajt, Anglia pritet të japë “dritë jeshile” për ekstradimet
Është caktuar data kur Gjykata Supreme e Anglisë pritet të shqyrtojë apelin e kërkuar nga autoritetet shqiptare për ekstradimin e pesë personave të dyshuar për përfshirje në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, i cili u ekzekutua në Lezhë në prill të vitit 2023.
Sipas burimeve të gazetarit Muhamed Veliu, seanca pritet të zhvillohet më 10 mars 2027. Në këtë proces janë përfshirë Edmond Haxhia, Thomas Mithan, Harriet Bridgeman, Harry Simpson dhe Steven Hunt, të cilët janë shpallur në kërkim nga Prokuroria e Lezhës.
Çështja lidhet me përpjekjet e autoriteteve shqiptare për të siguruar ekstradimin e tyre në Shqipëri, ku kërkohet të ndiqen penalisht për dyshimet mbi përfshirjen në vrasjen e biznesmenit.
Si u vra Ardian Nikulaj?
Ardian Nikulaj u vra në prill të vitit 2023, teksa ndodhej në ambientet e lokalit të tij në Lezhë. Sipas hetimeve, shtetasi portugez Ruben Saraiva, i maskuar me një skafandër, hyri në lokal dhe e qëlloi disa herë me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend.
Hetuesit dyshojnë se Edmond Haxhia kishte organizuar vrasjen në bashkëpunim me shtetas të huaj. Sipas dosjes hetimore, grupi kishte vëzhguar për ditë me radhë lëvizjet e Nikulajt, përfshirë edhe hotelin ku ai qëndronte, me qëllim përcaktimin e momentit të përshtatshëm për kryerjen e krimit.
Pas vrasjes, disa prej personave të dyshuar u larguan nga Shqipëria përmes aeroportit të Rinasit, ndërsa të tjerë kaluan në drejtim të Greqisë nëpërmjet rrugëve tokësore. Ata u arrestuan më pas në kuadër të hetimeve për ngjarjen.
Ndërkohë, Ruben Saraiva është shpallur fajtor për vrasjen e biznesmenit dhe është dënuar me burgim të përjetshëm.
Për çfarë kërkon Shqipëria ekstradimin?
Në kuadër të procedurave të ekstradimit, Republika e Shqipërisë i është drejtuar autoriteteve britanike me kërkesën për dorëzimin e personave të dyshuar, në mënyrë që ata të përballen me drejtësinë shqiptare.
Në kërkesë janë referuar dispozita të Kodit Penal shqiptar që lidhen me veprat penale të “Vrasjes për shkak të gjakmarrjes”, sipas nenit 78/a, dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit”, sipas nenit 278/1, në lidhje me nenin 25 për bashkëpunimin në kryerjen e veprës penale.
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor për ekstradimin, autoritetet shqiptare kanë kërkuar dorëzimin e personave për t’u ndjekur penalisht për veprën e “Vrasjes me paramendim”, sipas nenit 78 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 25.
Shqyrtimi i parashikuar për 10 mars 2027 pritet të jetë një hap i rëndësishëm në procesin ligjor që synon sjelljen e pesë të dyshuarve përpara drejtësisë shqiptare. Vendimi për ekstradimin do të varet nga procedurat dhe vlerësimi i gjykatës britanike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



