Vrasja e turistit në Ksamil, del FOTO e autorit Sokrat Vata
Është bërë publike fotoja e Sokrat Vatës, 29-vjeçarit të arrestuar nga policia si i dyshuari kryesor për vrasjen e turistit portugez pranë kompleksit “Principote” në Ksamil.
Në njërën prej pamjeve, Vata shfaqet në ambientet e një lokali, ndërsa në një tjetër shihet brenda një automjeti. Fotografitë janë publikuar në kuadër të zhvillimeve të fundit të hetimit për ngjarjen e rëndë.
29-vjeçari punonte si roje plazhi dhe roje sigurie pranë kompleksit “Principote”. Ai u arrestua vetëm disa orë pas ngjarjes, pasi u lokalizua në aksin rrugor Levan–Fier. Sipas policisë, Vata u gjet i fshehur në bagazhin e një automjeti.
Nga të dhënat e deritanishme të hetimit dyshohet se 29-vjeçari po përpiqej të largohej nga zona pas ngjarjes dhe se gjatë tentativës për t’u arratisur ka marrë ndihmën e disa shtetasve të huaj.
Pas shoqërimit dhe arrestimit, Vata është marrë në pyetje nga grupi hetimor. Megjithatë, ai ka zgjedhur të mos japë deklarime për rrethanat e ngjarjes dhe nuk ka dhënë shpjegime lidhur me akuzën që rëndon ndaj tij.
Ndërkohë, hetuesit po vijojnë punën për të rindërtuar të gjithë dinamikën e konfliktit që përfundoi me vdekjen e turistit portugez në Ksamil. Krahas rrethanave të vrasjes, autoritetet po verifikojnë edhe personat që dyshohet se kanë ndihmuar 29-vjeçarin në përpjekjen për t’u larguar pas ngjarjes.
Hetimet pritet të përcaktojnë përgjegjësinë konkrete të të gjithë personave të përfshirë, ndërsa vijon mbledhja dhe administrimi i provave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



