Vrasja e turistit në Ksamil, pezullohen nga detyra dy punonjës policie
Dy punonjës policie janë pezulluar nga detyra pas vrasjes së 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil. Bëhet fjalë për Miosid Matushajn, punonjës i strukturave të Policisë së Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër, dhe Romeo Shehun, pjesë e Policisë Bashkiake Gjirokastër.
Sipas të dhënave të deritanishme nga hetimi, të dy punonjësit ndodheshin në ambientet e lokalit “Principote” në momentin kur shpërtheu konflikti që më pas përfundoi në mënyrë tragjike me vrasjen e turistit portugez.
Matushaj dhe Shehu kishin shkuar në lokal për të kryer funksione sigurie, ndërsa në atë moment duhej të garantonin rendin dhe sigurinë brenda ambienteve të “Principote”.
Megjithatë, pavarësisht se ndodheshin në vendin ku nisi konflikti, ata nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Po ashtu, sipas hetimeve, dy punonjësit nuk kanë njoftuar strukturat e Policisë së Shtetit për ngjarjen e rëndë.
Për këto veprime dhe mosveprime është vendosur pezullimi i tyre nga detyra.
Miosid Matushaj është arrestuar dhe ndaj tij janë ngritur akuzat për “Moskallëzim të krimit” dhe “Mosmarrje të masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.
Ndërkohë, edhe Romeo Shehu rezulton të ketë qenë pjesë e grupit të personave që ushtronin funksione sigurie në lokalin “Principote” gjatë momentit kur ndodhi konflikti.
Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e personave të përfshirë në konfliktin që i mori jetën turistit 20-vjeçar portugez në Ksamil.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



