E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vrasja e turistit në Ksamil, zbardhet dëshmia e Sokrat Vatës
Lajme

Vrasja e turistit në Ksamil, zbardhet dëshmia e Sokrat Vatës

Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Sokrat Lipan, alias Sokrat Vata, i dyshuar për vrasjen e turistit portugez Luis Miguel Varela Mendez në Ksamil.

Gjatë seancës gjyqësore, Vata ka shprehur pendesë për ngjarjen dhe u ka kërkuar ndjesë familjarëve të viktimës. Para gjykatës, ai ka dhënë edhe versionin e tij për përplasjen që përfundoi me vdekjen e turistit.

Sipas dëshmisë së tij, në lokal ndodhej një grup turistësh francezë, të cilët po bënin zhurmë. Vata ka deklaruar se shoku i tij u ka kërkuar të ruanin qetësinë, por turistët kanë vijuar me sharje.

Sipas tij, pas kërkesës së dytë për të ulur zërin, situata është përshkallëzuar në përleshje fizike dhe konflikti ka vijuar edhe jashtë lokalit.

Vata ka pretenduar se gjatë përleshjes njëri prej turistëve kishte një thikë, të cilën ai ia ka marrë pasi e ka neutralizuar. Në atë moment, sipas versionit të tij, një tjetër turist e ka goditur me shkelm në nofull, duke e rrëzuar në tokë.

Ai ka deklaruar se, ndërsa turistët kanë tentuar ta godasin sërish, ka lëvizur dorën instinktivisht në përpjekje për t’u mbrojtur, por nuk kujton mënyrën se si ka goditur viktimën.

“U kërkoj ndjesë familjarëve të viktimës, u shpreh ngushëllimet e mia, jam penduar për atë që ka ndodhur. Një grup turistësh francezë ishin brenda në lokal, ata po bënin zhurmë. Shoku im u kërkoi që të mbanin qetësi, ata nuk u bindën, filluan të na shanin. Ju afruam më afër dhe u kërkuam sërish të mbanin qetësi, por ata filluan të na godisnin. Gjatë përleshjes fizike kemi dalë në pjesën e jashtme. Njëri nga ata kishte një thikë, e kam neutralizuar dhe i kam marrë thikën. Në këtë moment dikush nga turistët e huaj më goditi me shkelm në nofull. Aty jam rrëzuar. Ata kanë tentuar të më godasin sërish. Instinktivisht kam lëvizur dorën për t’u mbrojtur. Nuk e kujtoj si e kam goditur, pasi isha nën shok. Nuk e dija nëse ndonjëri nga ata ishte plagosur, pasi ishin shumë. Nga tronditja jam larguar”, ka deklaruar Vata.

Në seancë ka dëshmuar gjithashtu shtetasi turk Nuh Mahmutoglu, i cili ka deklaruar se e njihte Vatën për shkak se kishin bashkëpunuar në lidhje me turistët, pasi ai komunikonte në gjuhën angleze.

Mahmutoglu ka treguar se Vata e kishte telefonuar rreth orës 06:30 dhe i kishte kërkuar ndihmë për ta shoqëruar drejt Tiranës, duke i thënë se ishte rrëzuar nga motori.

“Vata më ka marrë në telefon në 6:30 dhe më ka kërkuar ndihmë që ta shoqëroja për Tiranë, pasi më tha se ishte rrëzuar nga motori”, ka deklaruar Nuh Mahmutoglu.

Pavarësisht pretendimeve të paraqitura gjatë seancës dhe versionit të dhënë prej tij për dinamikën e ngjarjes, Gjykata e Sarandës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Sokrat Lipan alias Sokrat Vata.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.