Vrasja e turistit portugez në Ksamil, policia gjen thikën e krimit
Detaje të reja janë zbardhur nga hetimi për vrasjen e të riut portugez, Luis Miguel Varela Mendes, në ambientet e hotelit Principote në Sarandë. Policia ka lokalizuar dhe sekuestruar thikën që dyshohet se është përdorur nga Sokrat Vata gjatë kryerjes së krimit.
Arma e dyshuar e krimit është gjetur e hedhur në një zonë me shkurre dhe ferra, në anë të një rruge rurale në periferi të Ksamilit. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, vendi ku u gjet thika ndodhet pranë pikës ku dyshohet se DJ-i i lokalit Principote ka lënë me automjet të dyshuarin Sokrat Vata pas ngjarjes.
Nga hetimet paraprake dyshohet se Vata, pasi ka zbritur nga makina, ka hedhur thikën në zonën me ferra, me qëllim fshehjen e provës materiale. Më pas, ai është larguar me vrap nga zona.
Sekuestrimi i thikës pritet të ketë rëndësi të veçantë për hetimin, pasi ajo do t’i nënshtrohet ekspertizave përkatëse. Analizat kriminalistike mund të ndihmojnë në dokumentimin e provave dhe në sqarimin e mëtejshëm të rrethanave që çuan në vrasjen e 20-vjeçarit portugez.
Hetuesit vijojnë punën për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe për të siguruar prova të tjera që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të krimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



