Zbulohen 2 mijë bimë kanabis në Shkodër, arrestohen dy persona
Një operacion i gjerë antidrogë i zhvilluar nga Policia e Shkodrës ka goditur dy raste të kultivimit të bimëve narkotike në zonat malore të qarkut, duke çuar në arrestimin e dy personave dhe procedimin penal të një tjetër.
Aksioni, pjesë e operacionit të koduar “Territor i Pastër”, u përqendrua në fshatrat Ndrejaj dhe Vukël, ku u zbuluan dhe asgjësuan gjithsej 2098 bimë dhe fidanë të dyshuar kanabis sativa.
Në fshatin Ndrejaj, në njësinë administrative Shosh, shërbimet e policisë konstatuan 768 bimë narkotike të kultivuara në një parcelë. Gjatë ndërhyrjes, u kap në flagrancë dhe u arrestua 53-vjeçari me inicialet P. M., i dyshuar si kultivues i tyre. Në afërsi të banesës së tij, efektivët gjetën dhe sekuestruan gjithashtu 80 kubikë me fidanë të dyshuar kanabisi.
Ndërkohë, në fshatin Vukël të njësisë administrative Kelmend, u zbuluan 1250 bimë të tjera narkotike. Në këtë rast, policia arrestoi në flagrancë një 52-vjeçar me inicialet A. Ç., për veprën penale “moskallëzimi i krimit”, pasi u konstatua pranë parcelës me kanabis.
Po ashtu, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për kryeplakun e fshatit Vukël, 65-vjeçarin me inicialet K. B., për mosveprim përballë aktivitetit të paligjshëm në territorin që mbulon.
Të gjitha bimët dhe fidanët e zbuluar u asgjësuan në vendngjarje me anë të djegies, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.
Policia bën me dije se kontrollet do të vijojnë në të gjithë territorin e qarkut, me fokus parandalimin dhe goditjen e kultivimit të lëndëve narkotike, veçanërisht në zonat e thella dhe të vështira për t’u monitoruar.
Njoftimi i policisë:
Qarku Shkodër/Vijon operacioni policor i koduar “Territor i Pastër”, kundër kultivimit të bimëve narkotike. Goditen 2 raste të kultivimit të bimëve narkotike në fshatrat Ndrejaj dhe Vukël. Kapet në flagrancë në parcelën ku kishte kultivuar bimë narkotike dhe vihet në pranga 53-vjeçari. Arrestohet në flagrancë edhe një 52-vjeçar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Procedohet penalisht kryeplaku i fshatit Vukël. Asgjësohen me anë të djegies 2098 bimë dhe fidanë kanabisi. Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Njësinë e Sigurisë Publike Shkodër dhe komisariatet në varësi, vijojnë me intensitet kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.
Në njësinë administrative Shosh, në fshatin Ndrejaj, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër konstatuan 768 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Gjatë ndërhyrjes, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi P. M., 53 vjeç, banues në fshatin Ndrejaj. Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në afërsi të banesës së këtij shtetasi, u gjetën dhe u sekuestruan 80 kubikë të dyshuar cannabis sativa. Ndërsa, në njësinë administrative Kelmend, në fshatin Vukël, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe konstatuan 1250 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Ç., 52 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi u konstatua në afërsi të parcelës me bimët narkotike.
Gjithashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin K. B., 65 vjeç, me detyrë kryeplak i fshatit Vukël. Kontrollet vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



