Zbulohen detaje të bujshme nga takimi sekret në Aruba
Gazetari Artan Hoxha ka hedhur dritë mbi një çështje të përfolur kohët e fundit, duke konfirmuar ekzistencën e një takimi të zhvilluar në Aruba, por duke përjashtuar pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama në të. Në emisionin Log, Hoxha tha se ai vetë ka takuar në vitin 2022 dy prej personave që kanë qenë në atë takim, njëri në Majami dhe tjetri në Pragë.
Sipas Hoxhës, takimi ka përfshirë një shtetas shqiptar me banim në SHBA, dy shqiptarë të ardhur nga Europa dhe dy individë të tjerë që sipas tij janë me interes për autoritetet shqiptare. Ai thekson se nuk ka pasur përgjim zyrtar, por janë përgjuar komunikimet mes pjesëmarrësve në mënyrë të ndërsjellë.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, sipas Hoxhës, ka deklaruar se asnjë anëtar aktual i qeverisë nuk ka qenë në atë takim, duke nënkuptuar se pjesëmarrësit mund të kenë qenë ish-zyrtarë.
Gazetari gjithashtu përmendi se një nga personazhet e përfshirë në këtë takim ka qenë i përfshirë edhe në një rast të vitit 2016, ku një zyrtar i Guardia di Finanza përfitoi 30 hektarë tokë – një rast që lidhet me të njëjtën “linjë” veprimi dhe influencash.
Sipas Hoxhës, takimi në Aruba dyshohet të ketë qenë një marrëveshje për investime dhe pastrim parash, duke ngritur dyshime serioze për aktivitete të paligjshme dhe përfshirjen e figurave të njohura në këtë skemë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



