Çfarë fshihet pas pengmarrjes së bujshme?
Një episod i pazakontë, që i ngjan skenave të filmave aksion, është regjistruar në Tiranë, ku një i ri është marrë peng për disa orë në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit.
Ngjarja ka ndodhur pranë ish-Parkut të Autobusave, ku 32-vjeçari Florjan Sula, i përfshirë në aktivitetin e call center-ave, është mbajtur kundër vullnetit të tij nga disa persona, pas një konflikti që dyshohet të ketë nisur për çështje financiare.
Sipas burimeve për mediat mësohet se në thelb të përplasjes qëndron një detyrim prej rreth 30 mijë eurosh, i cili më pas është përshkallëzuar në mënyrë të papritur. Situata ka dalë jashtë kontrollit, duke çuar në rrëmbimin e të riut dhe vendosjen e një shume shumë më të lartë si kusht për lirimin e tij.
Fillimisht, autorët dyshohet se kanë kërkuar 2 milionë euro, një shumë e papërballueshme për 32-vjeçarin. Pasi ai nuk ka mundur të sigurojë këtë shumë, negociatat kanë ndryshuar dhe është kërkuar një shumë më e ulët, rreth 500 mijë euro, me kusht që të sigurohej brenda një afati të shkurtër.
Në momentin që është lënë i lirë për të gjetur shumën e kërkuar, i riu ka zgjedhur t’i drejtohet menjëherë Policisë, duke bërë të mundur identifikimin dhe më pas arrestimin e personave të dyshuar si të përfshirë në këtë ngjarje.
Hetimet kanë nxjerrë në pah se mes personave të arrestuar janë Jurgen dhe Kevin Neza, të cilët vijnë nga një familje e njohur në fushën e biznesit. Ata janë djemtë e Gazment Nezës, një emër i lidhur me sektorin financiar dhe të sigurimeve në vend dhe akosioner i UBA bank.
Ndërkohë, autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje, përfshirë marrëdhëniet mes palëve dhe çdo element tjetër që mund të ketë ndikuar në përshkallëzimin e konfliktit deri në një akt kaq të rëndë.







