E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zbulohet loja proceduriale që rrezikon mbylljen e dosjes “Balluku”
Lajme

Zbulohet loja proceduriale që rrezikon mbylljen e dosjes “Balluku”

Ish-prokurori Eugen Beçi ka hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj asaj që ai e përshkroi si një manovër proceduriale mes Gjykatës Kushtetuese dhe Kuvendit. Sipas tij, kjo qasje rrezikon realisht të çojë në rrëzimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Beçi theksoi se situata aktuale nuk lidhet me forcimin apo dobësimin e institucioneve të drejtësisë, por me mënyrën se si politika, sipas tij, po shmang përballjen e hapur me procesin ligjor.

Sipas ish-prokurorit, nuk mund të pretendohet se distancimi i politikës nga drejtësia përkthehet automatikisht në dobësim institucional. Megjithatë, duke analizuar zhvillimet konkrete, ai arrin në përfundimin se politika duket se po përdor procedurat për të shmangur një deklarim të qartë dhe të drejtpërdrejtë në mbështetje të drejtësisë.

Në analizën e tij, Beçi hodhi poshtë çdo përpjekje për të lidhur procesin që po zhvillohet në Gjykatën Kushtetuese me procedurën parlamentare për heqjen e imunitetit, duke e cilësuar këtë si juridikisht të pabazë.

“Bëhet fjalë për dy procese të ndryshme që ecin paralelisht. Nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën, as në jurisprudencë dhe as në konceptin e masave të sigurimit,” sqaroi ai.

Sipas Beçit, SPAK ka vepruar me kujdes procedural, duke ia bërë të qartë si politikës ashtu edhe Gjykatës Kushtetuese se kemi të bëjmë me dosje të ndara dhe të pavarura.

Ai paralajmëroi në emisionin “Breaking”, se zvarritjet aktuale mund të prodhojnë pasoja konkrete ligjore, të parashikuara qartë nga legjislacioni.

“Nëse Gjykata Kushtetuese vijon të vonojë dhe për pasojë komisioni i mandateve apo e gjithë procedura parlamentare nuk merr vendim brenda afatit tre mujor, atëherë kërkesa e SPAK konsiderohet e rrëzuar,” theksoi Beçi.

Këtë skenar, ish-prokurori e cilësoi si një përpjekje për t’u fshehur pas procedurave dhe afateve ligjore.

“Sjellja aktuale duket si një lojë proceduriale për t’u fshehur pas gishtit. Politika nuk flet hapur dhe, në fund, justifikohet duke thënë se kanë kaluar afatet,” u shpreh ai.

Beçi shtoi se kjo praktikë nuk është e re, duke kujtuar raste të mëparshme kur, sipas tij, politikanë të ndryshëm kanë shmangur përgjegjësinë përmes lojës me afatet proceduriale, madje edhe në çështje të mëdha korrupsioni.

Një tjetër element problematik, sipas tij, është roli që po merr Gjykata Kushtetuese në këtë proces.

“Në pamje të parë krijohet përshtypja se Gjykata Kushtetuese po shndërrohet në një instancë apeli për masat e sigurimit, gjë që është e papranueshme,” deklaroi ai.

Beçi sqaroi se kryeministri mund të ishte legjitimuar t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese vetëm për çështje parimore, si përputhshmëria e një neni të Kodit të Procedurës Penale me Kushtetutën, por jo për të kundërshtuar një masë konkrete sigurimi.

“Nuk ka asnjë bazë që një masë konkrete sigurimi të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, duke e kthyer atë në një gjykatë apeli,” tha ai.

Në lidhje me përfshirjen e mundshme të Komisionit të Venecias, ish-prokurori u shpreh skeptik, duke e konsideruar këtë një tjetër instrument për të fituar kohë.

“Le ta themi hapur: sot kjo shërben vetëm për zvarritje,” u shpreh Beçi, duke kujtuar se opinionet e Venecias janë konsultative dhe jo detyruese, ndërsa në praktikën shqiptare shpesh janë përdorur për të shtyrë vendimmarrjen.

Ai kritikoi ashpër edhe Kuvendin për mënyrën se si, sipas tij, ka formalizuar lidhjen mes dy çështjeve të ndryshme.

“Parlamenti e ka zyrtarizuar këtë lidhje dhe kjo është skandaloze. Këto çështje nuk kanë asnjë lidhje, as në jurisprudencë, as në materie dhe as në formë,” theksoi ai.

Beçi nënvizoi se Kuvendi nuk ka as kompetencë dhe as të drejtë të vlerësojë prova apo të paragjykojë vendime gjyqësore.

“Vetëm gjykata vlerëson provat dhe përcakton fajësinë apo pafajësinë,” shtoi ai.

Në mbyllje, ish-prokurori ngriti një pikëpyetje thelbësore mbi reformën në drejtësi dhe besimin e politikës tek sistemi që, sipas tij, ajo vetë ka ndërtuar.

“Në momentin që kërkohet imuniteti i një anëtari të shumicës dhe ai nuk jepet, minimalisht tregon mungesë besimi te drejtësia që ke ndërtuar vetë dhe maksimalisht përbën pengesë për një hetim të rregullt dhe objektiv,” përfundoi Beçi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.