Zgjedhjet në Bashkinë Tiranë, zbulohet urgjenca e Ramës
Gazetari Genc Burimi, i ftuar në emisionin LOG komentoi zhvillimet e fundit politike, me fokus te zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, pas shkarkimit të Erion Veliajt.
Sipas Burimit, kryeministri Edi Rama po nxiton të organizojë këto zgjedhje para se të publikohet raporti i OSBE/ODIHR për procesin e 11 majit. Ai theksoi se opozita po bie sërish në të njëjtën kurth si në zgjedhjet e fundit.
“Humbja e opozitës më 11 maj nuk ndodhi sepse Rama vodhi, por sepse ishte një opozitë që nuk arriti të bindë. Rama tani ka një urgjencë për ta mundur sërish këtë opozitë, përpara se të dalë raporti i OSBE/ODIHR,” u shpreh Burimi.
Për gazetarin, Veliaj është tashmë “jashtë loje”, dhe Edi Rama nuk dëshiron që ai të bëhet pengesë për ritmin e zgjedhjeve.
“Veliaj është një letër nën tavolinë, nuk do Rama që ai ta ngadalësojë këtë proces. Për Ramën është me rëndësi që zgjedhjet të ndodhin para raportit, sepse është një përshpejtim i madh,” tha ai.
Burimi shtoi se opozita, së bashku me ish-kryeministrin Sali Berisha, po përfshihet në mënyrë të pamenduar në një tjetër kurth elektoral.
“Rama e futi opozitën në maj në kurth, dhe ajo ra kokë e këmbë brenda. Tani po ndodh e njëjta gjë. Kur Berisha e kuptoi vonë kurthin, tani kërkon që Veliaj të shkojë në Kushtetuese për t’i dhënë kohë vetes, që këto zgjedhje të mos ndodhin përpara se të dali OSBE/ODIHR. Kjo po luhet sot,” theksoi gazetari.
Në vlerësimin e tij, përpjekjet e opozitës për të dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese nuk kanë qëllim të ndalojnë procesin, por të fitojnë kohë. Megjithatë, Burimi beson se kjo nuk do ta ndalë Ramën.
“Prandaj historia e kësaj Kushtetuese nuk është se do të pengojë Ramën, sepse Veliaj është i hequr. Është thjesht një përshpejtim i madh,” përfundoi Burimi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



