E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zgjidhja që ndalon tragjedinë përpara se të ndezësh motorin
Lajme

Zgjidhja që ndalon tragjedinë përpara se të ndezësh motorin

Teknologjia para Prangave

Rruga shqiptare po përgjaket sërish nga i njëjti makth i vjetër: alkooli në timon. Brenda dy javësh, skena e krimit u përsërit në mënyrë ngjethëse – herën e parë dy të mitur të vrarë barbarisht nga një shofer i dehur, dhe herën e dytë, një tjetër që desh mori para efektivët e policisë. Reagimi ynë si shoqëri? I njëjti avaz 30-vjeçar: mallkime, frustrim, britma për drejtësi dhe politikanë që turren përpara kamerave duke tundur prangat dhe duke premtuar ashpërsim ligjesh.
Por burgu dhe hakmarrja janë vetëm reaksione të çastit që trajtojnë pasojën, jo shkakun. Parimi ynë i trashëguar lindor “vodhe, priji një dorë; u dehe, kalbe në burg”, ka dështuar. Ndëshkimi pasi jetët janë shuar nuk i kthen mbrapsht viktimat. Ne nuk kemi nevojë për më shumë qeli, kemi nevojë për zgjidhje inteligjente. Dhe në vitin 2026, kjo zgjidhje nuk kërkon ndonjë shpikje gjeniale, por thjesht vullnet për të thirrur në apel teknologjinë.
Sensori Antialkool: Teknologjia që të Lë në Vend
Në vend të arrogancës së prangave, zgjidhja vjen nga një propozim i thjeshtë dhe praktik i Renis Bodinakut, një mjeshtri të njohur mekanike dhe koleksionist makinash retro. Zgjidhja e tij mund t’i shpjegat falas çdo deputeti në Parlament: instalimi i detyrueshëm i një sensori elektronik antialkool (Alkolok) në makina.
Ky sensor funksionon si një portier elektronik: ai mat nivelin e alkoolit të shoferit përpara se të niset dhe, nëse ky nivel kalon normën e lejuar, makina thjesht nuk ndizet. Kaq e thjeshtë. Nuk ka vend për debat, nuk ka vend për ryshfet ndaj policit, dhe mbi të gjitha, nuk ka mundësi që shoferi të kthehet në vrasës.
Strategjia me Faza: Kush duhet ta vendosë i pari?
Ky ndryshim ligjor nuk ka pse të rëndojë menjëherë mbi të gjithë, por mund të shtrihet me faza, duke nisur nga kategoritë me risk më të lartë:
Faza 1: Transporti publik dhe emergjencat – Sensori duhet të bëhet i detyrueshëm menjëherë për autobusët, taksitë, kamionët e rëndë, furgonët e furnizimit, ambulancat dhe vetë makinat e policisë.
Faza 2: Shoferët përsëritës – Çdo person që kapet qoftë edhe një herë të vetme në timon nën efektin e alkoolit, përveç gjobës, duhet t’i bllokohet patenta. Kthimi i patentës duhet të kushtëzohet me detyrimin që ai të instalojë sensorin në mjetin e tij, të paguar nga xhepi i vet.
Faza 3: Shtrirja graduale – Dora-dorës, pajisja mund të bëhet standard për çdo mjet që qarkullon në vend.
Kostoja e Jetës përballë Kosotjës së Pajisjes
Sa kushton kjo? Çmimet variojnë nga disa mijëra lekë për prodhimet e thjeshta kineze, deri në qindra euro për ato më të avancuara evropiane apo amerikane. Por kjo kosto nuk i mbetet buxhetit të shtetit; ajo përballohet nga vetë pronarët e mjeteve apo shkelësit e ligjit.
“Asgjë nuk kushton më shumë se një jetë e humbur apo një familje e shkatërruar. Çfarë vlere ka çmimi i një sensori përpara dramave rrugore apo jetëve të çuara dëm nëpër qeli?”
Më parë kemi parë aksione policore si “Policia që duam”, ku të premtet dhe të shtunat ktheheshin në makth për shoferët e dehur. Por si çdo aksion me fushata, edhe ai u harrua, ndërsa problemi mbeti.
Është koha të ndalojmë së qari mbi pasojat dhe të luftojmë shkakun. Me sensorin antialkool të propozuar nga Renis Bodinaku, “ashikët e alkoolit” nuk do të kenë më shansin të mbjellin vdekje në rrugë. Maksimumi që mund t’ u ndodhë, është të flenë mbi timon në parking, me motorin e fikur dhe me xhepin e zbrazur nga gjoba. Dhe kjo është shumë më mirë sesa të zgjohen të prangosur në një qeli burgu, pasi kanë marrë jetë njerëzish.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.