Zhdukja e Eglant Koçit, del në skenë skena e krimit të pasionit
Prej disa ditësh, 34-vjeçari Eglant Koçi rezulton i zhdukur në Tiranë, ndërsa hetimet për zbardhjen e fatit të tij vijojnë në disa drejtime.
Sipas informacioneve për mediat, ekziston dyshimi se Koçi mund të jetë vrarë nga Armand Shakaj, i cili është shpallur në kërkim dhe vijon të jetë në arrati.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se grupi hetimor po verifikon çdo pistë të mundshme, përfshirë edhe atë të një krimi pasioni. Dyshimet mbështeten jo vetëm te e shkuara e personit të dyshuar, por edhe te veprimet që ai dyshohet se ka kryer pas ngjarjes. Mes skenarëve që po shqyrtohen është edhe mundësia e zhdukjes së trupit të 34-vjeçarit.
Ndërkohë, hetimet intensive të ditëve të fundit kanë sjellë zhvillime të rëndësishme në përpjekjet për të përcaktuar fatin e Eglant Koçit. Në fokus të verifikimeve ka qenë edhe një kamarier 25-vjeçar, i cili dyshohet se ka kryer një detyrë të ngarkuar nga eprori i tij, pa qenë në dijeni të rrethanave që lidhen me zhdukjen e 34-vjeçarit.
Për llogari të hetimeve është marrë në pyetje edhe partnerja e Koçit, e cila jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo ka treguar se ditën e zhdukjes kishte vënë re një ndryshim të pazakontë në sjelljen e tij, pasi nuk kishte marrë telefonatën e përditshme që zakonisht zhvillonin mes tyre. Ky detaj është konsideruar nga hetuesit si një element me interes për zbardhjen e ngjarjes.
Burime për mediat bëjnë me dije se po verifikohen gjithashtu edhe aktivitetet e mëparshme të personave të përfshirë në çështje. Eglant Koçi dyshohet se ishte i angazhuar në aktivitetin e kriptomonedhave, ndërsa Armand Shakaj është përmendur në hetime për lidhje me veprimtari të fajdeve. Për momentin, policia nuk ka përjashtuar asnjë pistë dhe po vijon punën për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



