E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zhvendosja e Kadastrës së Vlorës, banorët: Po na bëjnë varrin!
Lajme

Zhvendosja e Kadastrës së Vlorës, banorët: Po na bëjnë varrin!

Vendimi për ta zhvendosur Kadastrën e Vlorës në Tiranë ka ngjallur reagime të forta mes qytetarëve, të cilët sot u mblodhën pranë godinës së institucionit për të shprehur hapur pakënaqësinë dhe frikën e tyre. Sipas tyre, kjo lëvizje jo vetëm që nuk do t’i japë zgjidhje problemeve të vjetra të pronësisë, por rrezikon t’i komplikojë edhe më shumë.

Banorët shprehen se edhe kur Kadatra funksiononte në Vlorë, çështjet e tyre zvarriteshin me vite pa përgjigje konkrete. Tashmë, me transferimin në kryeqytet, ata druhen se proceset do të bllokohen plotësisht, për shkak të distancës, kostove shtesë dhe mungesës së aksesit të drejtpërdrejtë.

“Ky vendim është si t’i vësh kapakun një plage që s’është shëruar kurrë”, shprehet me revoltë një prej qytetarëve. Ai thotë se prej më shumë se një dekade endet me dokumente në duar, pa marrë asnjë zgjidhje. “Kjo është një goditje për Vlorën. Kemi 10–15 vite që presim, dhe asgjë. Edhe pse këtu s’na kanë shërbyer siç duhet, të paktën ishim afër. Tani do jetë edhe më keq. Pronat po na mbahen peng, fëmijët tanë po rriten pa dokumente. Është turp i madh”, u shpreh ai.

Edhe një tjetër banore ngre shqetësime të ngjashme, duke theksuar se mungesa e informacionit ka qenë problem konstant, pavarësisht se disponon leje ndërtimi. Sipas saj, zhvendosja në Tiranë vetëm sa do ta errësojë më tej situatën. “Këtu mezi marrim përgjigje, në Tiranë as që e dimë si do ia dalim. Askush nuk na sqaron çfarë do ndodhë me dosjet tona”, tha ajo.

Ndërkohë, ka edhe qytetarë që shprehen skeptikë, duke thënë se problemi nuk lidhet me vendndodhjen e institucionit, por me vetë sistemin. “Unë kam 30 vite që merrem me dokumente, kam shpenzuar shuma të mëdha dhe prapë jam në vendnumëro. Si në Vlorë, si në Tiranë, për ne s’ka pasur dhe s’ka zgjidhje”, shprehet një tjetër banore.

Protestuesit kërkojnë rishikimin e vendimit dhe garanci konkrete se çështjet e pronësisë nuk do të mbeten edhe më tej në ngërç, duke paralajmëruar se zhvendosja e Kadastrës mund të thellojë një problem që prej vitesh mbetet i pazgjidhur.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.