Zjarri në Dajt po shuhet me lopata, helikopteri bën “sehir” (VIDEO)
Situata nga zjarri në Malin e Dajtit vijon të mbetet shqetësuese, ndërsa flakët po përhapen me shpejtësi dhe ndërhyrja në terren po bëhet kryesisht me mjete rrethanore.
Sipas denoncimeve të qytetarëve, përpjekjet për shuarjen e zjarrit po realizohen në kushte të vështira, ku në shumë raste përdoren mjete primitive si lopatat, ndërkohë që një helikopter ndodhet në afërsi, por nuk është aktivizuar për ndërhyrje nga ajri.
Banorë dhe aktivistë e konsiderojnë situatën alarmante, duke paralajmëruar rrezik serioz për përhapjen e flakëve në të gjithë Parkun Kombëtar të Dajtit. Ata ngrenë dyshime se zjarri mund të jetë i qëllimshëm, duke e cilësuar ngjarjen si një akt të rëndë kriminal me pasoja të mëdha mjedisore.
Në reagimet publike kërkohet ndërhyrje e menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, si dhe hetim i plotë nga organet e drejtësisë për të zbardhur shkaqet dhe përgjegjësit e mundshëm. Sipas tyre, raste të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë, duke ngritur shqetësime për përsëritje të një skenari të qëllimshëm për përfitime të paligjshme përmes projekteve të mëvonshme.
Ndërkohë, qytetarët kanë bërë thirrje për organizim vullnetar për t’u ngjitur drejt zonës së prekur dhe për të kontribuar në shuarjen e flakëve, në kushtet kur situata mbetet kritike dhe kërkon reagim të shpejtë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



