E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zjarri në hotelin në Vlorë, turisti polak rrëfen momentet e tmerrit
Lajme

Zjarri në hotelin në Vlorë, turisti polak rrëfen momentet e tmerrit

“U zgjuam nga aroma e çuditshme e të bërtiturat, u hodhëm nga dritarja”

Momente paniku janë përjetuar në orët e para të mëngjesit të 16 gushtit, pasi një zjarr përfshiu hotelin “Brooklyn”, në zonën e Lungomares në Vlorë. Flakët dhe tymi përfshinë godinën rreth orës 04:00, duke vënë në rrezik jetën e pushuesve dhe stafit.

Një prej personave që ndodhej në hotel ishte edhe një turist nga Polonia, i cili ka rrëfyer momentet e frikshme kur ai dhe të tjerë pushues u zgjuan nga gjumi për shkak të tymit dhe thirrjeve për ndihmë.

Sipas tij, situata u përshkallëzua brenda pak çastesh dhe, për t’i shpëtuar flakëve, ai dhe personat e tjerë u detyruan të kërkonin rrugëdalje përmes dritares.

“U zgjuam natën, nuhatëm diçka të çuditshme, dëgjuam të bërtitura. U hodhëm nga dritarja, thirrëm për ndihmë. Kaq. Jam nga Polonia. Ora ishte rreth 4 e mëngjesit”, tregoi pushuesi.

Zjarri shkaktoi disa të plagosur, ndërsa situata u bë veçanërisht e rëndë për personat që ndodheshin në katin e dytë të hotelit. Disa prej tyre u përpoqën të shpëtonin duke u hedhur nga dritaret, duke pësuar dëmtime të ndryshme.

Shefi i Reanimacionit në Spitalin e Vlorës, Edmond Breshanaj, dha detaje mbi gjendjen e të dëmtuarve dhe ndërhyrjen e ekipeve mjekësore. Ai tha se gjashtë persona kishin pësuar dëmtime si pasojë e ekspozimit ndaj zjarrit.

“Ishte situatë shumë emergjente, ishin 6 pacientë të dëmtuar nga ekspozimi. Ishin në katin e dytë. 3 ishin të djegur rëndë dhe 2 ishin hedhur nga kati i dytë, kishin pësuar fraktura të kolonës”, deklaroi Breshanaj.

Sipas tij, për shkak të natyrës së dëmtimeve, pacientët u trajtuan në struktura të ndryshme shëndetësore. Dy prej të plagosurve u transportuan drejt Qendrës së Traumës, ndërsa tre të tjerë u dërguan në repartin e djegieve.

“Dy prej tyre i nisëm në Qendrën e Traumës sepse s’kishin djegie dhe 3 në repartin e djegieve”, sqaroi ai.

Emergjenca mjekësore u vu në gatishmëri të plotë menjëherë pas marrjes së njoftimit. Breshanaj tha se ekipet mjekësore u mobilizuan në kohë dhe nisën trajtimin e të dëmtuarve rreth orës 04:30.

“Patëm lajmërim të të gjithë ekipit, ishin të gjithë në gatishmëri. Kanë mbërritur rreth orës 4 e gjysmë”, tha ai.

Mes të plagosurve kishte edhe persona në gjendje kritike. Një prej pacienteve kishte pësuar djegie në pothuajse të gjithë trupin, ndërsa një tjetër kishte rreth 50% të sipërfaqes së trupit të djegur.

“Një paciente që rrezikon jetën ishte djegur pothuajse 100%, një tjetër 50%”, deklaroi shefi i Reanimacionit.

Të dëmtuarit ishin kryesisht të rinj, rreth 25–30 vjeç. Sipas të dhënave të bëra publike nga mjeku, mes tyre kishte shtetas nga Prishtina, Lipjani dhe Rrësheni.

Ndërkohë, autoritetet po vijojnë hetimet për përcaktimin e shkaqeve dhe rrethanave të zjarrit që përfshiu hotelin në Lungomare. Ngjarja ka shkaktuar alarm të madh në zonën turistike, veçanërisht për shkak të orarit dhe numrit të personave që ndodheshin brenda godinës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.