1 Maji/ Unioni i Sindikatave protestë për të drejtat e punëtorëve
Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, përfaqësues të Unionit të Sindikatave të Shqipërisë kanë protestuar përpara Ministrisë së Ekonomisë, duke ngritur shqetësime për kushtet e punës dhe mungesën e mbrojtjes për punëtorët.
Me pankarta ku spikasnin mesazhe si “Jeta e punëtorit nuk është kosto biznesi” dhe “Pagë për të jetuar, jo për të mbijetuar”, protestuesit kërkuan masa konkrete për përmirësimin e kushteve dhe rritjen e sigurisë në vendin e punës. Megjithatë, pjesëmarrja në tubim ishte e kufizuar, ndërsa u vu re edhe mungesë e dukshme e të rinjve.
Ndër kërkesat kryesore të ngritura ishte krijimi i një ministrie të dedikuar për çështjet e punës, si dhe miratimi i një minimumi jetik që garanton një standard dinjitoz jetese për qytetarët.
Drejtori i unionit, Kondi Lija, theksoi se 1 Maji nuk duhet parë si festë, por si një ditë reflektimi dhe reagimi për të drejtat e mohuara. Ai ngriti alarmin për rritjen e ndjeshme të aksidenteve në punë dhe mungesën e kontrolleve efektive nga institucionet përgjegjëse, duke kërkuar më shumë siguri dhe ndërhyrje konkrete.
Ndërkohë, një tjetër protestë u zhvillua paralelisht përpara Kryeministria e Shqipërisë, e organizuar nga Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, duke e kthyer këtë 1 Maj në një ditë kërkesash të forta për të drejta dhe kushte më të mira pune në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



