8 të plagosur në protestën në Tiranë, policia hedh gaz lotsjellës me dron
🇬🇧 Read in EnglishProtesta kombëtare e 28 Nëntorit në Tiranë vijon mes tensioneve të forta dhe përplasjeve të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të policisë, ndërsa situata në kryeqytet është përshkallëzuar ndjeshëm.
Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, policia ka përdorur sërish gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, duke detyruar protestuesit të tërhiqen nga zona. Përveç autobotëve me ujë me presion, këtë herë forcat e rendit kanë përdorur edhe një dron për hedhjen e gazit lotsjellës nga ajri.
Re të dendura tymi kanë mbuluar bulevardin, ndërsa ndërhyrja e policisë ka vijuar mes kaosit dhe përplasjeve me protestuesit.
Protesta, e cila përkon me 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe shënon ditën e saj të 182-të, është shoqëruar me hedhje molotovësh, gurësh dhe fishekzjarrësh nga protestuesit, si dhe me përdorimin e gazit lotsjellës dhe ujit me presion nga policia.
Bilanci paraprak i Ministrisë së Shëndetësisë flet për tetë persona të paraqitur në Spitalin e Traumës, mes tyre një efektiv policie, dy përfaqësues të medias dhe pesë protestues. Tre protestues të tjerë kanë marrë ndihmën e parë në vendngjarje.
Pavarësisht ndërhyrjes së forcave të rendit, protestuesit deklarojnë se nuk do të tërhiqen deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



