16-vjeçari shqiptar humb jetën tragjikisht në Greqi
Një tragjedi ka tronditur komunitetin e futbollit në Kavala të Greqisë, pas ndarjes nga jeta të 16-vjeçarit me origjinë shqiptare, Asllan Gjana. I riu pësoi një dëmtim të rëndë në kokë gjatë një ndeshjeje futbolli në ishullin Thassos dhe, pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, nuk arriti të mbijetojë.
Gjana ishte pjesë e skuadrës Byronas Kavala dhe po aktivizohej në përballjen ndaj Aiandas Panagias, e vlefshme për kategorinë e dytë të Shoqatës së Futbollit të Kavalës.
Ngjarja e rëndë ndodhi që në minutat e para të takimit. Në minutën e dytë, gjatë një dueli për topin, 16-vjeçari doli jashtë vijave të fushës dhe u përplas me forcë me pjesën e pasme të kokës në gardhin rrethues të stadiumit.
Goditja ishte e rëndë dhe futbollisti humbi ndjenjat menjëherë pas përplasjes. Takimi u ndërpre dhe mjeku i ndeshjes ndërhyri për t’i dhënë ndihmën e parë. Në stadium mbërriti gjithashtu shërbimi i urgjencës mjekësore, ndërsa gjendja e rëndë e 16-vjeçarit bëri që ai të transportohej me urgjencë drejt spitalit.
Asllan Gjana u dërgua në Spitalin e Kavalës dhe u shtrua në repartin e kujdesit intensiv. Mjekët vijuan përpjekjet për ta mbajtur në jetë, por dëmtimi i pësuar rezultoi fatal dhe 16-vjeçari ndërroi jetë.
Vdekja e tij ka shkaktuar tronditje dhe dhimbje të madhe te familjarët, bashkëlojtarët dhe komuniteti sportiv i zonës. Një ngjarje që nisi si një ndeshje e zakonshme futbolli u kthye në një tragjedi për familjen e të riut dhe skuadrën ku ai luante.
Edhe klubi Byronas Kavala ka reaguar pas lajmit të rëndë, duke shprehur dhimbjen për humbjen e futbollistit 16-vjeçar.
“Me dhimbje të padurueshme dhe trishtim të papërshkrueshëm, familja atletike e Byron Kavalës i jep lamtumirën njërit prej fëmijëve të saj”, thuhet në mesazhin e klubit.
“Byroni i Kavalës është në zi, ka humbur një nga fëmijët e tij. Udhëtim të mbarë, djali ynë, ti do të jetosh përgjithmonë në zemrat tona”, vijon reagimi prekës i skuadrës.
Ndarja e parakohshme nga jeta e Asllan Gjanës ka lënë pas dhimbje të madhe në familje dhe në rrethin sportiv ku 16-vjeçari kishte nisur të ndërtonte rrugëtimin e tij në futboll.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



