Kronika e Verës, kisha ku rrëfehet Kryeministri i vërtetë
AGRON GJEKMARKAJ

E pat parashikuar me atë intuitë burimore të njeriut, i cili njeh veten mirë kur tjetër bën e tjetër thotë… Në atë brazdë kundërshtie, që hapet në ndërgjegje nga kjo mospërputhje, gjet forcën për të thirrur “padre, padre padre” në emisionin “Real Story”, nga mesi i sallës së Teatrit të Operës së Baletit, pasi shembi atë tjetrin, Teatrin Kombëtar.
E ndiente që i duhej një prift e një rrëfyestore Kryeministrit tonë dhe “Kronika e Verës” me bujarinë që e karakterizon, kur të gjithë e për gjithçka janë bërë kurnacë, ia gjet të dyja si një lutje që bëhet thagmë.
Pas atij zinxhiri biblik makinash dhe njerëzish në Kakavijë i duheshin. Ata flinin e rrinin nëpër automjete, natë e ditë, derisa më në fund Majko, me Hirësinë e tij Janullatos, e zgjidhi duke i shkallmuar portat e Doganës për qytetarët e drobitur.
Ata ikën duke lënë pas në dy anët e rrugës barin e djegur për 27 km nga acidi i shtuar prej jashtëqitjes së fortë e të trashë, e cila karakterizohej nga mungesa e ujit.
Së shpejti do lëvrojë fjala e urtë: “Ku dhjet shqiptari, nuk mbin më bari”
Këtu debati sapo është ndezur dhe në qendër të tij, si në mes të një cikloni veror, u gjet pikërisht ai, i gjati, i forti, i paepuri, Edi Rama, mbi kokën e të cilit fluturojnë sharje, mallkime, shishe, tapa, monedha, vezë, rraqe të kompozuara nga fjalë.
Tit Vasili e quajti “korb të zi”. Pas kësaj, Titi në korridorin e selisë u prit me entuziazëm: “Tit, Tit, ti je hero, LSI shumë ty të do”, thërrisnin në kor Kërpaçi, Braimllari, Nasipi dhe Haxhinasto të përlotur, sikur të kishin gjetur Demostenë. Aty nuk duruam më, u prekëm, vetmia e tij mbërriti në mesin tonë, halli po kaq dhe i bëmë një telefon në të vonë.
Miku i mirë, në ditë të keqe. Ashtu u gjetëm edhe ne kur na ikën personazhet. Ai na dha të vetët. Në fillim, biseda nuk ishte e qartë se valët e detit në Dhërmi ishin të trazuara, bash si shpirti i Kryeministrit, po më pas u qetuan krejt njësoj si ai pas rrëfimit.
“E patë, – foli më zë të shuar, – ç’më punoi Majko? Foli si shpëtimtar me Janullatosin, kinse si ortodoksi me ortodoksin e sigurisht mbi shpinën time ka ngarkuar një mal me akuza, duke më injoruar mua si Kryeministër dhe ministër i Jashtëm, ndërsa të voglin Gent e ka trajtuar sikur të jetë eksiq ose inekzistent. Më thoshit ju që ka ambicie për të më zënë vendin, po kush e besonte? E gjykoja si intrigë për të ma qitur në thepin e përbuzjes.
Ta shohin ç’do t’u punoj me listën e re. Në fakt, s’e kam dashur kurrë. Për ta tallur i dhashë një kinse ministri folklorike që ai e pranoi, por ja që u hakmor duke ndenjur urtë si gjarpri nën gurë. Pas kësaj doli e falënderoi Forcat e Armatosura e ato të Policisë, sikur unë të mos isha gjallë, pra si zot vendi. Praktikisht më akuzoi faqe njerëzisë si i dështuar në politikë të jashtme, por edhe në menaxhim. La të kuptohet që kjo është shkretëtira e një shteti që nuk ekziston më në letër, por ende është nocion gjeografik”.
Dëgjonim me frymën ndalur, kur vijoi: “Testova edhe Shametin, Çuçin e Ahmetajn, të cilët m’i njohin shijet dhe e dinë çfarë dua dhe nuk dua unë, por njësoj e gjykonin si pabesinë e madhe, ekzibicionin e Pandit, madje ku e ku më të rëndë se ajo e Kakavijës, me të qarë e kujë e bënin konstatimin. S’dija ç’të bëja, t’i qaja hallin vetes apo atyre, dridheshin burrat si purteka. Erdhi si mallkim ai fluks, ai nomadizëm për t’u shpërngulur të gjithë për një ditë.
Pata gjetur rehatin. Të gjithë merreshin me Ben Blushin. Unë dhe ministrat e mi fërkonim duart, ‘mbaje Zot’ uronim, e bëja notin i qetë, këtu afër kisha pothuaj gjithë kabinetin se kanë vilat, por befas magjia u prish krejt si mallkim dhe kjo javë më thirri në skenë mua. Zoti më pastë në hatër e i kthehen prapë atij”.
Morëm guximin t’ia ndërprisnim rrëfimin, për të kuptuar ndonjë gjë më shumë për simboliken e lugës që Pandi e futi në thashethemnajën popullore. “Eh luga, luga, – ngriti zërin, – të gjithë me lugë në brez i kam, te luga u rri gjuha, më të po ma gërryejnë dheun poshtë karriges si urithët, duke krijuar pirgje rreth vetes. E dija që e kanë këtë ves, deri-diku më pëlqente se kështu ua kujtoja herë pas here me një tundje koke, po s’e mendoja kurrë se ishin kaq punëtorë dhe të paepur, racë tahmaqarësh.
Po mendoj të ndryshoj 5 (pesë) ministra në shtator: Besën, Gentin, Sandrin, Denajn dhe Shalsin, por kush ia di mendjen Ilir Metës? Druaj se nuk m’i shkarkon ose nuk më dekreton të rinjtë e m’i lë si xhenaze në mes të rrugës. Po shpëtuan, t’i puthin të prapmen atij, t’ia bëjnë gropë se për mua e kanë prerë biletën. Eh, more të uruar, ju jeni moralistë e naivë, pushteti është vrap me pengesa, ku herë pas here kthehesh e pastron m…!
Ja p.sh., kam njëfarë tipi që dikur militonte si anëtar këshilli për PD-në në një komunë. Donte të bëhej kryetar qarku, deputet me atë parti nuk i eci, po ama nuk hoq dorë, erdhi te ne, me këmbëngulje e lëbyrje stoikësh qeraste me pica Sandrin, bënte shkrime dhe citonte vetë Elisën.
Ju mund të qeshni, por ai është moment që lideri kap vuajtjen, dëshirën, ndezullinë, damarin në ballë si karabush misri për të bërë karrierë, që sintonizohet më nevojën e tij për sundim. Ju lutem, mendoni çfarë bën për mua duke ditur sa kam unë në dorë, ndaj nuk u kurseva e i dhashë një post. E di që nuk më zhgënjen?! Këtë ta mësoni prej meje, e bëjnë dhe e kanë bërë të gjithë, është natyra e politikës, por ju gjykoni ex-katedra. Edhe unë kur isha në opozitë e ftoja rininë të merrte fatet e vatanit në dorë kundër Berishës. Tani e bën Presidenti kundër meje, po kështu vërtiten këto gjëra, për t’i marrë pushtetin njëritjatrit.
Asokohe ndaja, humbjet, kauzat dhe kryengritjet etike me intelektualët, por ata duhen sa për të ardhur në pushtet dhe në pak muaj përfundojnë pranë opozitave, sepse kështu është natyra e pushtetit dhe natyra e tyre jallane. Pushteti do kopukë e ushtarë, herë pas here edhe idiotë, ndërsa opozicioni emra të përveçëm, e kam nga eksperienca, kini besim. Unë në ikje jam nga kjo punë, po do rroni e do më kujtoni”.
Nuk dinim si të silleshim, na ngjante se po delironte, herë tjetër na vinte ta mëkonim, t’i ofronim një gjoks ku të mbështeste kokën e lodhur, të mallëngjyer nga sinqeriteti dhe gëzimi që gjetëm Kryeministrin e vërtetë, krejt ndryshe nga ai që shohim në ekran gjithë munxë e përzhitje, por edhe ta ndërprisnim, na vinte si keq… Pikërisht atëherë kur e kishim humbur shpresën se sqima do kthehej asaj nate, kuptuam se u gabuam. Na habiti me një recitim, një poezi nga më të bukurat e letërsisë sonë.
“Atdheu s’është sa sedilja e makinës
tënde/sa karrigia e zyrës/sa dhoma komode/A më dëgjon,
Ti që me flamur të ri u gdhive në
mëngjes/për ta ndryshuar ndoshta prapë
në mbrëmje?
Atdheu s’është lojë kalamajsh
Atdheu është dhimbje
O Zot
Dhembje!
E pabesueshme, ishte një nga poezitë e Bardhyl Londos, të cilit nuk po i jepnim vendin e merituar në Kronikë, të përkëdhelur në sedër nga fakti që Kryeministri po na rrëfehej.
Duket i erdhi keq e na shpëtoi nga dacka me të cilën Londo noprani na pat kërcënuar sapo filluam udhëtimin veror në rast harrese. Rrugët e Zotit janë të pafundme.
Atdheu është dhimbje, kështu thoshin teksa iknin nga Kakavija edhe shqiptarët e pjekur në diell./ Panorama
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



