E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
2026 nis me bilac negativ, Shqipëria drejt tkurrjes
Ekonomi

2026 nis me bilac negativ, Shqipëria drejt tkurrjes

Më shumë vdekje sesa lindje në vend

Shqipëria po përballet me një sinjal gjithnjë e më shqetësues demografik. Të dhënat e tremujorit të parë të vitit 2026 tregojnë qartë se dinamika natyrore e popullsisë vijon të jetë në rënie, duke reflektuar një bilanc negativ mes lindjeve dhe vdekjeve.

Sipas Institutit të Statistikave, në këtë periudhë janë regjistruar 5.146 lindje dhe 5.514 vdekje, çka përkthehet në 368 vdekje më shumë se lindje. Ky diferencim negativ konfirmon vijimin e tkurrjes natyrore të popullsisë në vend.

Megjithatë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, vërehet një përmirësim i lehtë i treguesve: lindjet janë rritur me 1%, ndërsa vdekjet kanë pësuar një rënie me 7.4%. Edhe pse këto shifra japin një sinjal pozitiv, ato mbeten të pamjaftueshme për të përmbysur trendin negativ afatgjatë.

Qarku i Tiranës vazhdon të dominojë peshën demografike, me 2.438 lindje dhe 1.422 vdekje, duke mbetur zona me ndikimin më të madh në totalin kombëtar. Ndërkohë, rritjen më të ndjeshme të lindjeve e ka shënuar Berati me 14.5%, ndërsa Gjirokastra rezulton me rënien më të fortë, ku janë regjistruar vetëm 59 lindje, një ulje prej 23.4%.

Sa i përket vdekjeve, rritja më e madhe është evidentuar në Elbasan me 3.2%, ndërsa ulja më e ndjeshme në Kukës me 28.3%.

Këta tregues konfirmojnë se sfida demografike mbetet një nga problemet më serioze afatgjata për Shqipërinë. Nëse niveli i ulët i lindjeve dhe ritmet e emigracionit vijojnë në të njëjtën linjë, ekspertët paralajmërojnë pasoja të forta për ekonominë dhe strukturën sociale.

Edhe institucione ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore kanë ngritur shqetësimin se plakja e popullsisë dhe tkurrja e forcës së punës mund të ndikojnë drejtpërdrejt në tregun e punës, sistemin e pensioneve dhe ritmin e zhvillimit ekonomik në vitet e ardhshme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.