2030-ta nuk është më e sigurt, Rama ndryshon gjuhë në Paris: Nuk premtoj dot asgjë!
Kryeministri Edi Rama zgjodhi Forumin e Paqes në Paris për të komentuar dy prej çështjeve më të rëndësishme të debatit politik në Shqipëri: protestat që prej muajsh po zhvillohen kundër qeverisë dhe procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian, për të cilin është shpallur si objektiv viti 2030.
Nga Musée de l’Homme në Paris, ku mori pjesë në diskutimet për zgjerimin e BE-së dhe të ardhmen e brezit të ri, Rama u përpoq të minimizonte përmasat e revoltës që ka përfshirë vendin. Në të njëjtën kohë, ai dha një mesazh më të rezervuar për integrimin europian, duke pranuar se nuk mund të garantojë realizimin e objektivit të anëtarësimit brenda afatit të shpallur.
Duke folur për demonstratat, kryeministri pranoi se protestat e nisura në fillim të qershorit kishin mbledhur një numër të madh qytetarësh, por pretendoi se më pas ato u reduktuan në një grup të vogël demonstruesish që përdorën dhunën.
“Ishte si një lloj flamuri i kuq që nxiti zemërimin e ‘demit’ në qytetin tonë. Më pas mbeti një numër i vogël protestuesish, që e përshkallëzuan me dhunë. Kjo nuk ka të bëjë me atë që ishte protesta në fillim fare”, deklaroi Rama.
Ai e lidhi zhvillimin e protestave edhe me ndikimin e rrjeteve sociale, ku, sipas tij, të rinjtë informohen dhe dezinformohen, ndërsa e përshkroi lëvizjen si një përzierje interesash dhe pakënaqësish politike.
“Është njësoj si një tenxhere ku zien gjithçka. Parti të opozitës, të vogla e të mëdha, që fshiheshin, tani jo dhe aq, pas fëmijëve të radikalizuar me iluzionet e ANTIFA-s”, u shpreh kryeministri.
Megjithatë, deklaratat e tij në Paris vijnë pas disa muajsh protestash, të cilat nisën në fund të majit kundër projektit turistik të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, në zonën e Zvërnecit.
Më 10 qershor, mijëra qytetarë u mblodhën përpara Kryeministrisë, duke kundërshtuar projektin dhe duke kërkuar më shumë transparencë për ndërhyrjet në një zonë të ndjeshme mjedisore. Me kalimin e kohës, pakënaqësitë u zgjeruan, duke përfshirë denoncimet për korrupsionin, problemet në shëndetësi e arsim, varfërinë dhe mungesën e perspektivës për të rinjtë. Thirrjet për dorëheqjen e Ramës u kthyen në një prej kërkesave kryesore të protestuesve.
Përplasjet me Policinë e Shtetit kanë qenë një tjetër element i vazhdueshëm i demonstratave. Gjatë tyre janë përdorur gaz lotsjellës, ujëhedhës dhe shkopinj gome, ndërsa protestuesit kanë reaguar në disa raste me gurë dhe bomba molotov. Bilanci përfshin qindra të arrestuar dhe të plagosur, mes tyre edhe efektivë policie. Shtatë punonjës policie janë pezulluar në kuadër të hetimeve për dyshime mbi përdorimin e tepruar të forcës.
Kështu, ndërsa në një forum ndërkombëtar kushtuar paqes Rama vuri theksin te dhuna e një pjese të protestuesve, në Shqipëri vijojnë debatet për arsyet që i kanë nxjerrë qytetarët në rrugë dhe proporcionalitetin e ndërhyrjeve të policisë.
Por mesazhi i kryeministrit në Paris nuk u kufizua vetëm te protestat. I pyetur për rrugën europiane të Shqipërisë, Rama foli për përfundimin e negociatave në fund të vitit 2027, por la të kuptohet se anëtarësimi i plotë deri në vitin 2030 nuk është një rezultat që mund ta garantojë qeveria shqiptare.
“E dini shumë më mirë se nuk premton dot asgjë për Europën. Unë kurrë nuk premtoj dot për gjëra që s’varen prej meje. Ajo që është e qartë, bazuar në progresraportin, Komisioni Europian është shprehur se 2027 është viti kur duhet të punojmë me Traktatin e Anëtarësimit dhe nëse çdo gjë shkon mirë, do t’i përmbyllim negociatat në fund të vitit të ardhshëm”, deklaroi ai.
Rama ngriti gjithashtu pikëpyetje për të ardhmen politike të Bashkimit Europian dhe ndikimin që mund të kenë zgjedhjet në vendet anëtare, duke përmendur veçanërisht Francën.
“Kjo do të varet se ku do të jetë BE për 2-3 vjet. Ku do të jetë Franca. Ju keni zgjedhje vitin e ardhshëm, askush nuk e di se ç’lloj France do të dalë nga këto zgjedhje. Ne duhet të bëjmë punën tonë dhe të përfundojmë punën tonë”, u shpreh kryeministri.
Deklarata shënon një qasje më të kujdesshme në komunikimin e objektivit të vitit 2030. Nëse deri më tani ky vit është paraqitur si afati ambicioz për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, tashmë Rama thekson se realizimi i tij varet edhe nga vendimmarrja e vendeve anëtare dhe zhvillimet e ardhshme politike në Europë.
Përfundimi i negociatave në vitin 2027 nuk nënkupton automatikisht anëtarësimin, pasi procesi kërkon edhe hapa të tjerë institucionalë dhe miratimin e shteteve anëtare.
Në Forumin e Paqes, Rama foli edhe për emigracionin, duke kundërshtuar perceptimin se largimi i shqiptarëve është një prirje në rritje. Sipas tij, zhvillimi ekonomik i vendit, rritja e pagave dhe turizmi kanë ndryshuar Shqipërinë gjatë dekadës së fundit, por njëkohësisht kanë rritur pritshmëritë e qytetarëve.
“Nuk do të thoja që është prirje në rritje për të emigruar, por pjesë e një rrugëtimi. Vendi zhvillohet, pagat rriten, ekonomia rritet, turizmi, pritshmëritë e njerëzve po ashtu. Ajo me të cilën po përballemi është evoluimi i pritshmërive më të larta”, deklaroi ai.
Nga Parisi, Rama foli për paqen, minimizoi revoltën kundër qeverisë dhe pranoi pasiguritë që shoqërojnë objektivin europian të Shqipërisë. Ndërsa në vend vijojnë protestat dhe pakënaqësitë, mbetet për t’u parë nëse deklaratat e kryeministrit do të shoqërohen me reflektim ndaj kërkesave të qytetarëve dhe me hapa konkretë për përmbushjen e premtimeve europiane.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



