21-Janari/ Prova që e vendos Berishën me shpatulla pas murit
Analisti Mentor Kikia, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me ngjarjet e 21 janarit dhe paraqitjen e Sali Berishës në SPAK.
Kikia theksoi se elementi më i rëndësishëm i hetimit aktual mbetet audio-përgjimi që pretendohet se përmban një urdhër të Berishës. Sipas tij, kjo është e vetmja provë potenciale që mund të tregojë nëse ish-kryeministri ka dhënë një urdhër direkt në lidhje me atë që ndodhi.
“Diskutimi sot nuk bëhet më për atë që ndodhi në fillim, por për fundin. 21 janari ishte një ngjarje e organizuar për të marrë përmasat që mori. Intensiteti i protestës ishte i parashikuar. Edhe formacioni i protestuesve, me grupet nga Tepelena e Shkodra, ishte i strukturuar. Ambasada ishte njoftuar që atë ditë. Deri tani është hetuar vetëm pjesa përfundimtare, vrasjet, ndërsa vetë protesta nuk është hetuar kurrë në tërësi. Janë marrë në pyetje dhe akuzuar vetëm disa nga personat e përfshirë,” u shpreh Kikia.
Ai shtoi se çështja është rikthyer në vëmendje sepse vrasja e Aleks Nikës mbeti pa autor, ndërsa vendimi i Strasburgut rizgjoi dosjen. “Gjithçka lidhet te një pikë: kush e dha urdhrin. Ajo që sot mbetet mbi tavolinë për Berishën është një audio, e cila supozohet se përmban zërin e tij duke thënë ‘qëlloni’,” përfundoi Kikia në Euronews Albania.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



