3 emrat nga PD-ja që mund të kandidojnë për Bashkinë e Tiranës
Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, ka folur lidhur me kandidatët e mundshëm të opozitës në garën për drejtimin e Bashkisë së Tiranës.
Në një intervistë për A2CNN, Boçi e përshkroi Bashkinë e kryeqytetit si një rast të veçantë, për shkak të kompleksitetit të përbërjes së saj dhe prurjeve që vijnë nga e gjithë Shqipëria.
Sipas tij, gjetja e kandidatit të duhur nuk është e lehtë, pasi Tirana përfaqëson një konglomerat të shtresave të ndryshme, me pjesëmarrje të komuniteteve të biznesit, shoqërisë civile dhe të politikës. Boçi theksoi se kandidati ideal duhet të ketë dimension publik të fortë, por të mos mungojë edhe dimensioni politik.
“Jo, ka dimensionin publik më të fortë se ai politik. Pra, unë do të preferoja një kandidatë ku dimensioni publik të jetë më i madh se dimensioni politik, por jo një kandidat pa dimension politik. Politika të pajisë kandidatin me disa përgjegjësi,” tha Boçi, duke theksuar se kandidati duhet të ketë simpatinë dhe angazhimin politik.
Ai përmendi disa emra të mundshëm nga radhët e demokratëve, duke vlerësuar dimensionin e tyre politik dhe publik: “Unë mbrëmë kam dëgjuar emrin e Lubonjës. Ka dimension politik? Sigurisht, sepse e ka të mbartur nga historia e vet personale. Po ashtu, janë zoti Alimehmeti, zonja Tabaku dhe zonja Dhurata Çupi,” përfundoi Boçi.
Boçi nënvizoi se pavarësisht sfidave dhe kompleksitetit të garës, zgjidhja do të gjendet, duke respektuar kombinimin e duhur mes aftësive publike dhe përvojës politike të kandidatëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



