E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
30-vjeçari i zhdukur në Spanjë, dyshohet i vrarë për pazare droge
Lajme

30-vjeçari i zhdukur në Spanjë, dyshohet i vrarë për pazare droge

Një ngjarje misterioze me nuanca të forta kriminale ka tronditur komunitetin shqiptar në Spanjë dhe Itali. Miklovan Danaj, 30-vjeçar me origjinë nga Guri i Zi i Shkodrës, rezulton i zhdukur që prej 11 majit. Familja e tij, bashkëshortja dhe vëllai, po e kërkojnë me ngulm në Spanjë, Shqipëri dhe Itali, por pa asnjë gjurmë konkrete.

Mesazhi kërcënues dhe dyshimet për vrasje

Pak kohë pas zhdukjes, familjarët morën një mesazh të frikshëm nga një person i panjohur, ku thuhej: “Miklovani është vrarë, mos e kërkoni”. Sipas informacioneve të siguruara nga JOQ , i riu është vrarë në Spanjë dhe trupi i tij është hedhur në det. Burime pranë tij pohojnë se motivi i dyshuar lidhet me trafikun e drogës, ku Miklovani – i njohur ndryshe si “Keli” – kishte krijuar një emër të fortë në tregun europian.

Nga Italia në Spanjë: ngritja dhe rënia e një “bosi”

Pas viteve të jetesës në Pisa të Italisë, Miklovani ishte zhvendosur në Marbella, Spanjë, ku dyshohet se kishte krijuar grupin e tij dhe merrej me trafikun e kokainës nga Kolumbia drejt Europës. Ai ishte bërë i njohur në mesin e bandave, por moskorrektësia dhe tradhtitë ndaj bashkëpunëtorëve thuhet se i kanë kushtuar shtrenjtë.

Dyshimet janë se ai u mor peng në muajin maj, u dhunua dhe më pas u vra, ndërsa trupi i tij u zhduk në det. Policia spanjolle është në dijeni të zhdukjes, por ende nuk ka gjetur as trupin, as prova që zbardhin ngjarjen.

Pistat e hetimit: kartelet kolumbiane dhe konfliktet me një vlonjat

Sipas burimeve, pas zhdukjes qëndrojnë ose kartelet kolumbiane të drogës, ose një person nga Vlora, me të cilin Danaj kishte konflikte të fundit.

“Të gjithë e dinë se ai është marrë peng e është vrarë. Disa thonë kolumbianët, të tjerë një vlonjat. Ai kishte mbledhur shumë para dhe rrinte në Marbella,” – shprehen burime pranë tij.

Familja mes ankthit dhe heshtjes së institucioneve

Miklovani jetonte në Spanjë me bashkëshorten dhe vajzën e tij 8 muajshe. Familjarët po e kërkojnë në çdo mënyrë, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë informacion zyrtar. Ndërkohë, heshtja e autoriteteve spanjolle dhe mungesa e provave vetëm sa shton misterin dhe dhimbjen e familjes.

Ngjarja po ndiqet me interes të madh në qarqet shqiptare dhe europiane, pasi lidhet me përplasjet e ashpra të bandave të trafikut të drogës në Spanjë dhe më gjerë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.