42-vjeçari abuzon seksualisht me një vajzë me probleme mendore
Vëllai i 27-vjeçares i djeg autorit makinën e të ëmës
Një 42-vjeçar nga Lushnja është shpallur në kërkim nga Policia, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një 27-vjeçare që kishte probleme të shëndetit mendor.
Rasti është denoncuar në Komisariatin e Policisë Lushnjë, ku e reja është paraqitur së bashku me dy familjarë të saj. Në prani të psikologut, ajo ka dhënë dëshminë e saj dhe ka bërë kallëzim për ngjarjen, e cila sipas deklarimeve dyshohet se ka ndodhur më 22 korrik 2026.
Pas hetimeve paraprake dhe verifikimit të informacionit të marrë, policia ka shpallur në kërkim shtetasin me inicialet S. M., 42 vjeç, banues në Lushnjë. Ai dyshohet për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur”.
Ndërkohë, gjatë vijimit të veprimeve hetimore, policia ka arrestuar edhe një person tjetër të përfshirë në ngjarje. Në pranga ka rënë D. Y., 32 vjeç, vëllai i 27-vjeçares, i cili dyshohet se ka djegur me lëndë djegëse automjetin e nënës së 42-vjeçarit të shpallur në kërkim.
Sipas autoriteteve, djegia e automjetit ka ndodhur ndërsa motra e tij ishte në ambientet e komisariatit duke dhënë kallëzimin për rastin.
Policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e 42-vjeçarit, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



