60 arkitektë të pranishëm, prapaskenat e darkës Rama–Ivanka Trump
Zbardhen detaje të reja lidhur me vizitën e Ivanka Trump në Shqipëri, e cila ka tërhequr vëmendje të konsiderueshme publike dhe mediatike, veçanërisht për ndalesën e saj në qytetin e Vlorës.
Gjatë ditës së djeshme, Ivanka Trump ka zhvilluar disa takime dhe vizita private, ndërsa në orët e mbrëmjes është shoqëruar nga kryeministri Edi Rama. Burime bëjnë me dije se fillimisht ata janë ndalur për një kafe në zonën e njohur të Ujit të Ftohtë, një nga pikat më panoramike të qytetit bregdetar, ku janë parë duke biseduar në një atmosferë të qetë dhe informale.
Më pas, Rama dhe Ivanka Trump janë zhvendosur drejt Orikumit, ku kanë zgjedhur një restorant buzë detit për të konsumuar darkën. Sipas informacioneve, në këtë takim kanë qenë të pranishëm edhe rreth 60 arkitektë, të cilët kanë marrë pjesë në diskutime që kanë zgjatur deri rreth orës 23:00.
Mësohet se darka ka pasur karakter joformal, por me theks profesional, ku janë prekur tema që lidhen me arkitekturën, zhvillimin urban, turizmin dhe potencialet e Shqipërisë, veçanërisht të zonës së jugut. Prania e një numri të madh arkitektësh ka shtuar spekulimet se diskutimet kanë qenë të fokusuara edhe në projekte zhvillimi dhe vizione afatgjata për bregdetin shqiptar.
Vizita e Ivanka Trump në Shqipëri është komentuar gjerësisht nga mediat, të cilat e kanë cilësuar si një sinjal interesi për vendin dhe për transformimet urbane e turistike që po promovohen vitet e fundit. Disa media kanë vënë theksin te fakti se zgjedhja e Vlorës dhe Orikumit për darkën nuk ka qenë rastësore, por lidhet me potencialin strategjik dhe turistik të kësaj zone.
Takimi ka kaluar në një atmosferë diskrete, pa deklarata publike, ndërsa detaje të tjera mbi agjendën e vizitës mbeten ende të pakonfirmuara zyrtarisht.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



