E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
8 grupe dhe 5 furnizues, zbardhet skema e rrjetit të drogës në Tiranë
Lajme

8 grupe dhe 5 furnizues, zbardhet skema e rrjetit të drogës në Tiranë

Detaje të reja dalin në dritë nga operacioni i Antidrogës së Tiranës, i finalizuar një ditë më parë me 31 persona të arrestuar, ndërsa hetimet kanë zbuluar një skemë të organizuar të shpërndarjes së lëndëve narkotike në disa zona të kryeqytetit, me aktivitet të dyshuar edhe pranë ambienteve shkollore.

Sipas të dhënave nga hetimi, personat e arrestuar dhe ata të shpallur në kërkim dyshohet se ishin të organizuar në të paktën 8 grupe shpërndarjeje, të cilat vepronin në zona të ndryshme të Tiranës.

Grupet ishin të shtrira në Laprakë, Brakë, Jordan Misje, Selitë, Yzberisht, Allias, Tregun Elektrik dhe Qytetin Studenti. Për secilin prej tyre, hetuesit kanë identifikuar nga 3 deri në 4 persona që dyshohet se merreshin me shitjen e lëndëve narkotike.

Një prej elementeve të zbuluara gjatë hetimit lidhet me mënyrën se si funksiononte rrjeti në rastet kur një grup mbetej pa drogë. Sipas hetuesve, klientët orientoheshin drejt grupeve të tjera të së njëjtës skemë, duke bërë të mundur vijimin e shpërndarjes edhe kur një pikë e rrjetit nuk kishte më lëndë narkotike.

Hetimi me agjentë të infiltruar

Aktiviteti i dyshuar kriminal është dokumentuar përmes agjentëve të infiltruar dhe blerjeve të stimuluara, me hetimin që është përqendruar veçanërisht te shpërndarja e drogës në afërsi të shkollave.

Në kuadër të këtij hetimi janë identifikuar gjithashtu 5 persona të dyshuar si furnizues, të cilët, sipas autoriteteve, siguronin heroinë dhe kokainë për grupet që merreshin me shpërndarjen në terren.

Një prej personave të identifikuar si furnizues është Ferit Xhani, alias “Luzi”, i njohur më herët nga policia dhe me precedent penal për vepra të lidhura me drogën dhe plagosjen.

Në një rol të rëndësishëm në rrjet dyshohet se ka vepruar edhe ish-efektivi i policisë Engrid Henaj, i cili është përjashtuar më herët nga radhët e Policisë së Shtetit për shkak të një rasti vjedhjeje.

Si kamuflohej shpërndarja e drogës

Hetimi ka nxjerrë në pah edhe mënyrat e përdorura nga shpërndarësit për të shmangur vëmendjen e policisë.

Sipas të dhënave të hetimit, ata përdornin monopatina për lëvizjet dhe shpërndarjen e porosive, ndërsa në raste të tjera lëndët narkotike transportoheshin përmes taksive dhe shërbimeve “delivery”.

Kjo mënyrë veprimi dyshohet se u mundësonte shpërndarësve të lëviznin në zona të ndryshme të Tiranës pa krijuar dyshime të menjëhershme për aktivitetin e tyre.

Nga hetimet e zhvilluara gjatë katër muajve, janë arrestuar 7 persona, ndërsa 14 të tjerë vijojnë të jenë në kërkim. Operacioni i finalizuar një ditë më parë çoi në 31 arrestime, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të roleve dhe lidhjeve mes personave të dyshuar.

Autoritetet po vijojnë punën për zbardhjen e mënyrës së funksionimit të rrjetit, burimit të lëndëve narkotike dhe kanaleve përmes të cilave droga shpërndahej në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.