830 milionë lekë do të shpenzojë Veliaj për fishekzjarre e tym skenik!
Deputeti i PL, Petrit Vasili, ka demaskuar sot me fakte, shpenzimet prej qindra milionë lekësh të kryebashkuat të Tiranës për festime propagande, në një kohë krize, kur qytetarët po përballen me koston e rënduar të jetesës në çdo aspekt.
Duke lexuar dokumentet e një tenderi të bashkisë së Tiranës më 15 gusht 2022, për blerje shërbimi nga dy operatorë për aktivitete të ndryshme për bashkinë, Vasili konstaton me shqetësim se “Veliaj po shpenzon qindra milionë lekë për ahengje, ndërsa njerëzit vuajnë për bukën e gojës!”
“E pabesueshme, por e vërtetë! – shkruan deputeti i Partisë së Lirisë. – 830 milionë lekë do të shpenzojë bashkia e Tiranës për fishekzjarrë, letra shpërthyese me ngjyra, podium prezantuesi, sistem pajisjesh për DiXhej, blica për efekte speciale, tym skenik etj.
Taksat e djersës dhe të mundit të mijëra qytetarëve të Tiranës bëhen rrush e kumbulla nga bashkia për ahengje propagande.
Në këto kohë shumë të vështira, në vend që çdo lek të shpenzohet nga bashkia për hallet dhe mjerimin e shumë familjeve në varfëri, këta tallen dhe bëjnë batërdi duke përdorur taksat për ahengje propagande.
Këta që gjobisin si hijena me Policinë Bashkiake, mijëra qytetarë për automjetet, që u prishin shtëpitë dhe i hedhin në rrugë të madhe pa asnjë ndihmë, që rrisin taksat si asnjë bashki tjetër, që vjedhin qindra milionë me inceneratorë, janë po këta që ia vënë vulën turpit duke harxhuar paratë për ahengje.

“Veliaj, 800 mln lekë për aheng elektoral, tender spektaklesh për 12 muaj”
Nga Boldnews.al
Pak muaj para zgjedhjeve lokale të vitit 2023, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka vendosur të shpenzojë qindra milionë lekë për blerje eventesh dhe shfaqjesh propagandistike. Bashkia e Tiranës ka mbyllur këtë javë tenderin për “Blerje shërbimi për aktivitete të ndryshme”, me fond limit 830 milionë lekë të vjetra.
Në dokumentat e tenderit konstatohet lehtësisht se Bashkia e Tiranës nuk ka qëllim promovimin e vlerave historike dhe kulturore të kryeqytetit. Gjithçka duket se ka lidhje me promovimin plot ngjyra të kryebashkiakut të Tiranës.
Sipas të dhënave zyrtare, Bashkia ka blerë shërbim për fishekzjarrë, letra shpërthyese me ngjyra, podium prezantuesi, sistem pajisjesh për Di Xhej, blica për efekte speciale, tym skenik dhe të tjerë elementë që lidhen me botën e spektaklit.
Të gjitha këto shpenzime, natyrisht, janë kryer me buxhetin e krijuar nga taksat e qytetarëve shqiptarë. Tenderi u hap në fillim të korrikut dhe afati për dorëzimin e ofertave ishte një muaj. Në përfundim të procedurës, rezulton se kanë marrë pjesë dy operatorë ekonomikë, të cilët janë shpallur fitues. Sipas kritereve të tenderit, shërbimi me vlerë 830 milionë lekë të vjetra përfshin një periudhë 12-mujore.
Pra, saktësisht, koha kur Veliaj, pritet të jetë në garë për një mandat tjetër në krye të Bashkisë së Tiranës.
Por, edhe nëse nuk do të jetë kandidat, ai sërish është drejtues politik i Partisë Socialiste në Tiranë dhe efektet e spektaklit do t’i duhen për të zhvilluar fushatën elektorale, nëpërmjet shërbimit të blerë qindra milionë lekë nga taksat e qytetarëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



