“9.8 milionë € cash në shtëpi”, bisedat e vëllezërve Aliu për milionat
Detaje të reja janë zbardhur nga dosja hetimore e SPAK, në kuadër të goditjes së një rrjeti të dyshuar kriminal që dyshohet se operonte në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Në qendër të hetimeve janë emra si Eldi Dizdari, Dritan Gjika dhe Armando Pacani, ndërsa si furnitor kryesor i lëndës narkotike dyshohet Salvatore Aliu.
Sipas materialeve të siguruara nga hetuesit, komunikimet e zbërthyera në platformën “Sky ECC” kanë nxjerrë në pah qarkullimin e shumave marramendëse të parave, të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal. Një rol kyç në këtë skemë dyshohet se kanë pasur edhe dy vëllezërit Aliu.
Në dosje përmendet se Salvatore Aliu dyshohet si furnizuesi kryesor i kokainës për grupet kriminale, ndërsa Isa Aliu, vëllai i tij, dyshohet se merrej me administrimin dhe pastrimin e të ardhurave. Ky i fundit, sipas hetimeve, mbante evidenca të detajuara për paratë e dorëzuara dhe komunikonte vazhdimisht me të vëllain për situatën financiare.
Nga komunikimet rezulton se më 30 gusht 2020, Isa Aliu i raportonte vëllait se kishte në dispozicion rreth 6 milionë euro cash. Vetëm pak ditë më vonë, më 15 shtator 2020, kjo shumë dyshohet se kishte arritur në rreth 9.8 milionë euro. Ndërkohë, në një tjetër bisedë të datës 13 shtator 2020, Salvatore Aliu i bënte me dije se pritej edhe një shumë tjetër prej rreth 20 milionë eurosh.
Një element tjetër i pazakontë që del në pah nga përgjimet është edhe shqetësimi i nënës së tyre për sasinë e madhe të parave që mbaheshin në banesë.
Biseda mes vëllezërve:
Isa Aliu: Ato që kanë dhënë lekët.
Salvatore: Aty në Shqipëri?
Salvatore: Se do t’i mbyll llogaritë me të gjithë.
Isa Aliu: Këtu janë bërë rreth 9 milionë e 800.
Salvatore: Dua të shoh sa lekë të kanë dorëzuar ty.
Salvatore: Edhe si t’i kanë dorëzuar, do m’i kalosh.
Isa Aliu: Me atë që kam mbledhur…
Salvatore: Nuk i dua kështu.
Salvatore: I dua në total.
Isa Aliu: OK.
Salvatore: I dua sipas mënyrës si t’i kanë dorëzuar.
Salvatore: Ose si i ke mbajtur të shënuara.
Isa Aliu: Po, i kam shënuar.
Isa Aliu: Natën, zemër, plaka ka filluar të trembet.
Salvatore: Pse?
Salvatore: Për çfarë?
Salvatore: Çfarë ka?
Isa Aliu: Po, sa herë vjen dikush dhe më sheh…
Salvatore: Po s’ka gjë, çfarë ka parë?
Isa Aliu: Po pra.
Isa Aliu: Habitet.
Salvatore: Mbushja një dyshek.
Salvatore: Që të flejë rehat.
Isa Aliu: Thotë: “Pse ekzistojnë kaq shumë?”
Salvatore: Janë edhe 20.
Salvatore: Akoma.
Salvatore: Që duhet të vijnë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rolin e secilit prej personave të përfshirë dhe për të dokumentuar aktivitetin e plotë të këtij rrjeti të dyshuar kriminal.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



