Artan Hoxha ngre alarmin: Një organizatë kriminale ka pasuri sa buxheti i shtetit!
Gazetari investigativ Artan Hoxha ka ngritur shqetësimin për fuqinë financiare dhe shtrirjen ndërkombëtare të organizatave kriminale shqiptare, duke deklaruar se një prej tyre mund të disponojë pasuri që arrin në 6 miliardë euro. Një shifër që, sipas tij, është e krahasueshme me buxhetin e shtetit shqiptar.
Hoxha komentoi mesazhin e ambasadorit amerikan në Tiranë, Wendt, gjatë një takimi me drejtues të SPAK, hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe gjyqtarë të Gjykatës së Posaçme (GJKKO).
Sipas gazetarit, deklaratat e diplomatit amerikan nuk ishin thjesht një apel i përgjithshëm për bashkëpunim, por një mesazh i drejtpërdrejtë për institucionet e drejtësisë shqiptare. Ai theksoi se SHBA-të kërkojnë që Shqipëria të përshtatë metodat hetimore me teknologjinë dhe mënyrat e reja të funksionimit të organizatave kriminale.
Hoxha u ndal veçanërisht te nevoja për sigurimin e menjëhershëm të provave digjitale, përpara se të dhënat të humbasin për shkak të mbingarkesës së databazave apo ndryshimit të sistemeve të komunikimit.
Hoxha: Një organizatë arrin në 6 miliardë euro pasuri
Gjatë diskutimit në emisionin “Now” në Euronews Albania, gazetari bëri një deklaratë të fortë mbi kapacitetin ekonomik të grupeve kriminale shqiptare, duke pretenduar se vetëm një organizatë mund të ketë krijuar një pasuri prej 6 miliardë eurosh.
Për të shpjeguar përmasat e kësaj shifre, ai e krahasoi fuqinë financiare të organizatave kriminale me atë të karteleve të mëdha të drogës në Amerikën Latine.
Hoxha solli në vëmendje rastet e Amado Carrillo Fuentes në Meksikë dhe të kartelit të Medellinit në Kolumbi, duke kujtuar mënyrën se si këto organizata kishin arritur të përdornin fuqinë e tyre financiare për të ushtruar presion mbi shtetet dhe institucionet.
Ai paralajmëroi se nëse organizatat kriminale arrijnë përmasa të tilla ekonomike, ndikimi i tyre mund të shkojë përtej aktivitetit të paligjshëm dhe të prekë vetë funksionimin e institucioneve shtetërore.
Në këtë kontekst, gazetari u shpreh:
“Ambasadori ka bërë detyrën si diplomat i vendit më të fuqishëm të botës. Neve na u tha se ishte një takim, por në fakt qenka një trajnim dhe aty janë edhe gjyqtarët. Pavarësisht se ne pamë vetëm kreun e SPAK-ut dhe të BKH-së, ky trajnim është financuar nga SHBA-të. Kështu që ambasadori ka përcjellë një mesazh për gjyqtarët, prokurorët dhe hetuesit e BKH-së që marrin pjesë në këtë aktivitet.”
Më tej, Hoxha vuri në pikëpyetje mbështetjen e vazhdueshme të hetimeve mbi të dhënat e siguruara nga platformat e vjetra të komunikimit të koduar.
“Sidomos te metodat e reja që përdor krimi i organizuar. Sot, praktikisht, gjysma e SPAK-ut mbahet ende me EncroChat-in dhe Sky ECC-në. EncroChat-i i përket viteve 2018-2019, ndërsa Sky ECC periudhës korrik 2019-mars 2021. Ata kriminelë që kanë qenë në atë kohë nuk janë fare tani. Një pjesë e tyre janë ende në lojë, por tani i kanë futur paratë poshtë tokës”, deklaroi gazetari.
Mesazhi i ambasadorit amerikan: Shqipëria duhet të përshtatet me teknologjinë e re
Një tjetër pikë e rëndësishme e analizës ishte bashkëpunimi mes institucioneve shqiptare dhe atyre amerikane në luftën kundër krimit të organizuar.
Sipas Hoxhës, ambasadori Wendt po kërkon që Shqipëria të shfrytëzojë më mirë marrëdhëniet me SHBA-të dhe kapacitetet teknologjike e hetimore që Uashingtoni mund të vërë në dispozicion.
Gazetari e lidhi këtë kërkesë edhe me klimën e investimeve të huaja, duke theksuar se kompanitë dhe investitorët amerikanë kërkojnë garanci për sigurinë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër kriminalitetit.
“Ajo që thotë ambasadori është se Shqipëria duhet të vihet në të njëjtën linjë me Shtetet e Bashkuara. Duhet të shfrytëzojë statusin si vend mik me SHBA-të dhe burimet që ato kanë në dispozicion. Ambasadori po flet për kompanitë dhe qytetarët amerikanë. Pra, nëse doni që këtu të vijnë kompani amerikane dhe investitorë seriozë amerikanë, duhet të plotësoni këto parametra”, u shpreh Hoxha.
Për të ilustruar rrezikun që paraqet përqendrimi i një fuqie të tillë financiare në duart e organizatave kriminale, gazetari iu referua sërish karteleve të Amerikës Latine.
“Nëse herën e fundit folëm për një organizatë me 6 miliardë euro, pra sa është buxheti i Shqipërisë, vetëm një organizatë e arrin këtë shifër. Dhe kjo situatë, nëse ne shkojmë në këtë stad, jemi në stadin ku Amado Carrillo Fuentes i thoshte Meksikës: ‘Pengo ekstradimin dhe unë të paguaj borxhin e jashtëm’. Je në stadin e kartelit të Medelinit, që i thoshte presidentit kolumbian: ‘Unë të jap 20 miliardë dollarë për të paguar borxhin e jashtëm, por pengo ligjin për ekstradimin’”, deklaroi ai.
Hoxha shtoi se një pjesë e konsiderueshme e materialeve që përdoren në hetimet e SPAK-ut për krimin e organizuar vijnë nga bashkëpunimi me autoritetet e huaja.
EncroChat dhe Sky ECC, pse kërkohen prova të reja nga SHBA-të?
Në pjesën tjetër të intervistës, gazetari u ndal te platformat e komunikimit të koduar që janë përdorur nga organizatat kriminale dhe te rëndësia e të dhënave që mund të sigurohen përmes tyre.
Hoxha rikujtoi rastet e EncroChat dhe Sky ECC, zbërthimi i të cilave u dha autoriteteve mundësinë të identifikonin komunikime dhe veprimtari të shumta kriminale.
Sipas tij, pas goditjes së këtyre platformave, grupet kriminale u detyruan të kërkonin sisteme të tjera komunikimi. Ai përmendi edhe një rrjet të krijuar dhe hedhur në përdorim nga FBI, përmes të cilit, sipas deklaratës së tij, brenda gjashtë muajve u zbuluan rreth 200 organizata kriminale.
“Ambasadori amerikan bën thirrje që provat të kërkohen sot, pasi provat prishen shpejt, databazat mbingarkohen. Pasi u thye EncroChat dhe Sky, u krijua një vakum, mbeti bosh dhe krimi i organizuar pësoi një kolaps, nuk kishin si të komunikonin. Në atë moment FBI kërkoi një rrjet dhe e hodhi në treg. Për 6 muaj u zbuluan 200 organizata kriminale”, tregoi Hoxha.
Ai nënvizoi se sot ekzistojnë shumë programe të tjera komunikimi, por asnjëri nuk mund të konsiderohet plotësisht i papërgjueshëm.
“Kanë dalë shumë programe të tjera, por nuk ka asgjë të papërgjueshme. Ambasadori i SHBA-së e ka fjalën për këto programe. Aty komunikimi është aq i madh sa informacioni humbet”, përfundoi gazetari.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



