Rama pret në zyrë efektiven pas operacionit të vështirë në Turqi
Pas kthimit nga Turqia ku ju nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale për të rikuperuar gishtërinjtë e dorës, kryeministri Edi Rama priti në zyrën e tij efektiven e policisë të forcave “Shqiponja” Ina Nuka.
Ajo mbeti e plagosur gjatë protestës që banorët e zonës së “Astirit” mbajtën para parlamentit kundër projektit të Unazës së Madhe.
Një banor protestues hodhi një kapsollë që shpërtheu në duart e efektives që ishte në krye të detyrës.
Pas një muaji në spital në Turqi, me shpenzime që i mbuloi qeveria shqiptare, Ina Nuka mbrëmë u kthye në atdhe, dhe sot është pritur nga kryeministri Rama. Ai i shprehu vlerësim për punën e saj duke thënë se është krenarë për të.
Ndërsa efektivja Ina Nuku tha se nuk gjen dot fjalët e duhura për të shprehur mirënjohjen e saj ndaj qeverisë shqiptare.
Efektivja foli për ecurinë e operacionit, dhe tha se tashmë është në fazën që duhet të fitojë ndjeshmërinë e gishtërinjve. Ajo tregoi se kishte rrezik edhe për të humbur dorën, pasi plaga u infektua, dhe nëse nuk do të ishte bërë në kohë ndërhyrja e specializuar në Ankara të Turqisë, atëherë pasojat mund të ishin të rënda.
I pranishëm në kryeministri ishte edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



