“Unë nuk mbaj mend…” ja çfarë thoshte në tetor për “Niçen” Vangjush Dako
Investigimi më i fundit i bërë publik nga “Zëri i Amerikës” zbuloi blerjen e votave nga Partia Socialiste në Kavajë, Durrës, Lezhë dhe Dibër, ndërsa i përfshirë në përgjime dilte emri i kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.
Lidhur me këto përgjime mbrëmjen e djeshme ishte ftuar në emisionin “Open” në Top Channel, Vangjush Dako u shpreh se nuk ka fakte që implikojnë Altin Avdylajn në shitblerjen e votave për Partinë Socialiste, madje vijoi edhe më tej ku pohonte se nuk e mbante mend nëse Altin Avdyli, ose “Niçja”, me të cilin është përgjuar nga Prokuroria duke folur disa herë të telefon, ishte duke drekuar me ta, sikurse është publikuar në përgjime.
Dako u shpreh:
Fati im i keq, që të ftuar kanë qenë edhe këta emra që përmendni ju, në një ngjarje të vitit 2017. Unë s’kam qenë i përgjuar, të përgjuar kanë qenë ata. Unë s’mbaj përgjegjësi për çfarë thonë ata, dikush mund edhe të mashtrojë për të fituar besueshmëri. Unë nuk mbaj mend që të ketë qenë i ulur në tavolinë Altin Avdyli.
Në tavolinë kam qenë me shumë persona, sepse drekat e darkat i kemi pjesë të punës sonë të përditshme, për përurime, festa lokale, bamirësira, apo edhe aktivitete politike. Unë kam qenë i ftuar në atë drekë, ndërkohë që nuk mbaj unë përgjegjësi nëse kanë precedentë penalë të ftuarit e tjerë apo jo.”
Rreth 3 muaj më parë, në tetor të 2018, Vangjush Dako ka pranuar se ka folur me Altin Avdylin, ose “Niçen” pas zgjedhjeve për ta falenderuar.
Kësaj herë nga emisionin “Opinion” në TV Klan, Dako ka pohuar se askush nuk i kishte thënë se ai merrej me aktivitete të paligjshme.
Deklarata e Dakos, në tetor 2018, në “Opinion”:
‘Niçja’ është një qytetar i Durrësit me të cilin kam folur dhe që është një nga këta që është kapur. Kam folur me këtë pas zgjedhjeve. Për ta falënderuar. Ai lufton për mua më jep vota dhe unë të mos i bëj një telefon? Astriti është vëllai i Niçes.
Ku e di unë se me ça merrej ai. Nëse ka info policia dhe le të merrej me të. Mua nuk më ka thënë njeri gjë që ky merrej me aktivitete të paligjshme. E di që kanë bërë burg. Tani është rikuperuar dhe është qytetar i mirë”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



