E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Dhunë në familje”, kush e denoncoi zjarrfikësin hero që u vu në pranga
Lajme

“Dhunë në familje”, kush e denoncoi zjarrfikësin hero që u vu në pranga

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat lajmëroi dje se ka arrestuar një inspektor të forcave zjarrfikëse në Tiranë, pasi akuzohet se ka ushtruar dhunë sistematike ndaj familjarëve të tij. 
lorenc hatia-zjarrfikesi

Burime thonë se zjarrfikësi i vënë në pranga është Lorenc Hatia, ndërsa arrestimi i tij erdhi pas denoncimit të vetë familjarëve. Referuar burimeve zyrtare të SHÇBA, Hatia është arrestuar dhe do të hetohet për dy vepra penale, atë të “Torturës” dhe “Dhunës në familje”. Mësohet se prej kohësh, punonjësi i zjarrfikëses ishte i dhunshëm ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve të tij, ndërsa dhuna e ushtuar nuk është vetëm psikologjike, por edhe fizike.

“Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme ka arrestuar inspektorin e zjarrfikësve, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve. L.H., akuzohet për veprat penale të ‘Torturës’ dhe ‘Dhunës në familje’. Arrestimi u krye, pasi në mënyrë sistematike dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve”, njoftoi SHÇBA.

AKUZA

Në njoftimin e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, bëhet e ditur se zjarrfikësi akuzohet se ka konsumuar edhe veprën penale të “Torturës”, çka nënkupton se ka shkaktuar vuajtje të rëndë fizike dhe psikologjike,ndaj familjarëve të tij, konkretisht gruas dhe fëmijëve, që janë në cilësinë e viktimave. Kjo vepër penale parashikon burgim nga katër deri në 10 vite. Sipas ligjit, kjo vepër penale kryhet nga një person, i cili ushtron funksione publike dhe shkakton te persona të tjerë vuajtje të rënda.

“Kryerja me dashje e veprave, nëpërmjet të cilave një personi i janë shkaktuar vuajtje të rënda, fizike apo mendore, nga një person që ushtron funksione publike ose me nxitjen apo miratimin e tij, të hapur ose të heshtur, me qëllim për të marrë prej tij ose një tjetri informata ose pohime; për ta ndëshkuar për një veprim të kryer ose që dyshohet të jetë kryer prej/ose një personi tjetër; për ta frikësuar ose bërë presion mbi të ose një person tjetër; për çdo qëllim tjetër të bazuar në çfarëdolloj forme diskriminimi; çdo akt tjetër çnjerëzor apo poshtërues; dënohen me burgim nga katër deri në dhjetë vjet”, parashikohet në ligj.

DENONCIMI DHE HETIMET

Referuar burimeve zyrtare, mësohet se vetë familjarët e Hatisë kanë lajmëruar në numrin e Emergjencave 112, për akte dhune nga ana e tij. Pas marrjes së denoncimit, inspektori është shoqëruar fillimisht dhe më pas është arrestuar nga SHÇBA.

Ndërkohë, bëhet me dije se për të dëmtuarit janë lëshuar urdhrat e mbrojtjes që parashikohen në ligj. Materialet hetimore pritet t’i kalojnë Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme, ku do të merren dëshmi të familjarëve të tij dhe të vetë të dyshuarit. Do të bëhen aktekspertime të personave që janë në cilësinë e viktimës, pasi ka pretendime për dhunë fizike ndaj tyre. Inspektori i zjarrfikëses është baba i dy fëmijëve, një djali dhe një vajze në adoleshencë. Ndërkohë, pritet që të dalë para Gjykatës së Tiranës, për rivlerësim të masës së sigurisë “Arrest në burg”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.