Soreca dhe Rama prezantojnë projektin për turizmin: BE dhe BERZH 100 mln euro investim në vend
Ndërkohë që Basha po sulmon edhe një herë tjetër qeverinë Rama nga Lezha, Ambasadori I BE-së në Tiranë, Luigi Soreca dhe kryeministri i vendit Edi Rama janë takuar paraditen e sotme në një event publik, ku kanë prezantuar projektin e përbashkët të investimit në Shqipëri për turzimin nga BE dhe BERZH.
Bashkëpunimet e tilla dhe investimet me kapitale të mëdha vijnë në një kohë krize për Shqipërinë, por që në fakt duket se nuk reflektojnë qasjen e BE-së ndaj vendit. Soreca ka thënë më herët se Shqipëria është në rrugën e duhur për hapjen e negociatave, që u shtynë për t’u marrë si vendim në muajin shtator.
Soreca tha se industria e turizmit fuqizon Shqipërinë dhe imazhin e saj.
“BE dhe BERZH janë krenarë që në bashkëpunim me njëri –tjetrin investojnë 100 milionë euro në Shqipëri. Programi do të zbatohet kryesisht në nivel vendor. Industria e turizmit fuqizon Shqipërinë dhe imazhin e saj. Turizmi është një prioritet kyç për Shqipërinë, për të përmirësuar imazhin e vendit, për të rritur ekonominë dhe mirëqenien”, tha Soreca.
Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar mbështetjen e dhënë duke marrë si shembull transformimi Korçën, Beratin e Gjirokastrën. Rama tha se programi do të ketë fokus edhe transformimin e Fierit dhe Shkodrës.
“Kjo marrëveshje e re e cila do t’i shkojë si një mbështetje më shumë programit tonë transformues të turizmit në Shqipëri, është edhe një shprehje e vlerësimit dhe besimit të këtyre institucioneve te strategjia jonë për rilindjen urbane. Marrim si shembull Korcën, Beratin, Gjirokastrën por edhe qytete të tjera ku falë dritës së optimizmit të projekteve kanë lindur inisiativa transformuese që kanë në bazë shfrytëzimin e potencialit turistik jo vetëm në qytetet bregdetare. Programi do vazhdojë të mbështësë transformimin e Korcës, Beratit, Fierit dhe sigurisht edhe do të nxisë transformimin e Shkodrës ku projektet qeveritare janë të identifikuara”, tha Rama.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



