Bamir Topi për Ramën:E konsideroj atë eksperimentin më të dështuar të drejtimit të qeverisë, qysh kur në Shqipëri hyri demokracia
Ish-Presidenti Bamir Topi, në librin e tij “Nocturn: Kur arsyeja errësohet nga pushteti”, botim i “UET Press” rrëfen jetën e tij, që nga fëmijëria, studimet, puna shkencore, hyrja në politikë, duke arritur të ngjitet deri në numrin një të shtetit.
Po ashtu ai rrëfen për raportet personale me liderët politikë të 3 dekadave demokraci, që nga Ramiz Alia te Sali Berisha, Fatos Nano, Edi Rama, Ilir Meta etj..
Ne pjeset me poshte lexoni si i ka njohur Meten e Rames dhe cfare thote per ta.

PËR PRESIDENTIN META
Me z. Meta jam njohur kur unë u futa në politikën parlamentare. Ndonëse në formacionin e së majtës marrëdhënia me të ka qenë miqësore e korrekte.
Ka qenë shumë i kujdesshëm në marrëdhëniet me mua si president, kur ishte në qeveri si zv.kryeministër dhe ministër i Jashtëm.
Mbetet një rast i veçantë, kur, edhe pse kanë kaluar më shumë se 20 vjet njohje dhe betejë politike, asnjëherë nuk kemi shkëmbyer debate, por vetëm respekt reciprok, për çka e vlerësoj.
PËR EDI RAMËN
Edi Rama dhe Bamir Topi
Natyrisht që nga larg Edi nuk njihej nga cilësitë e tij, sesa nga fakti që ishte djali i Kristaq Ramës. I pari që e vlerësoi dhe i hapi rrugën e karrierës ishte Fatos Nano, i cili ishte po i pari që mori zhgënjimin e madh prej tij.
Kam dëgjuar shokë e miq të tij që kanë marrë të njëjtin shpërblim, mungesën e mirënjohjes. Edhe pse luftoi fort kundër meje në 2007 në garën time për president, krijova një marrëdhënie politike dhe institucionale me të si lider i opozitës, fatmirësisht pa e bërë asnjëherë mik!
E them këtë, pasi po të kisha ndërtuar marrëdhënie miqësore, zhgënjimi sot do të ishte i fortë, sikurse e kanë miqtë e tij që zgjodhën ta kishin mik. Edi Ramës i kam afruar bashkëpunim për të mirën e klimës politike, edhe kur ai punonte pas shpine me Sali Berishën për minimin e themeleve të demokracisë dhe kufizimin e kompetencave të Presidentit të Republikës, sikurse e kam përmendur 21 prillin 2008.
Në sytë e mi, sjellja me dy standarde e tij, i përulur në nevojë dhe arrogant në ushtrimin e pushtetit, nuk më bëjnë të ruaj respekt për të. Në një vështrim jashtë kontekstit të marrëdhënieve të mia, e konsideroj atë eksperimentin më të dështuar të drejtimit të qeverisë, qysh kur në Shqipëri hyri demokracia. Nëse akoma qëndron politikisht në këmbë, këtë e bën falë opozitës së paaftë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



