Sherri për rrugën, si u vra me plumb në gjoks kreu i Njësisë Kotë
Debatuan për rrugën, vritet kreu i Njësisë Administrative Kotë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Mavrovë, pjesë e Bashkisë Selenicë.

Argjil Gjoka, 60 vjeç, u qëllua me armë zjarri ndërsa kishte shkuar për të sqaruar debatin mes punonjësit të fadromës me banorët e fshatit.
Në debat e sipër, Gjoka mori një plumb në gjoks dhe ndërroi jetë pas transportimit në spital, ndërsa i plagosur mbeti dhe Arif Bejtaj, 19 vjeç. Autori i dyshuar për krimin është Mersin Bejtaj, 32 vjeç, i cili është shpallur në kërkim nga Policia. Nderkohe qe mengjesin e sotem ne pranga jane vene Arif Bejtaj 19 vjec; Jace Bejtaj, 22 vjec dhe Namik Bejtaj 30 vjec.
KONFLIKTI
Gjithçka mësohet se ka nisur pas një konflikti të çastit në afërsi të zonës së quajtur Petë në fshatin Mavrovë, një konflikt për çështje pronësie mes dy kushërinjve Bejtaj, por këta të fundit, sipas burimeve nga Policia, kanë pasur një përplasje edhe me punonjësit që po hapnin rrugën. Ata kanë debatuar me fadromistin se ku duhet të kalonte rruga.
Gjatë sherrit është qëlluar me armë zjarri, ndërsa Argjil Gjoka ka marrë një plumb në kraharor, duke humbur më pas jetën në Spitalin Rajonal të qytetit të Vlorës, pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve. Ndërkohë, i plagosur ka mbërritur dhe Arif Bejtaj, i cili ka marrë një plumb në krahë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje shkuan forcat e policisë, të cilat po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së rëndë, që shkaktoi një të vdekur dhe një të plagosur. Sipas asaj çfarë konfirmohet nga Policia e Vlorës, si autor dyshohet Mersin Bejtaj, kushëri me të plagosurin Arif Bejtaj. Policia ngriti postblloqe në disa pika në afërsi të zonës, por ende autori nuk është arrestuar.
HETIMET
Ngjarja mbetet ende disi e paqartë, ndërsa fillimisht u bë e ditur se bëhej fjalë për një konflikt për çështje pronësie mes dy kushërinjve Bejtaj, ku 60-vjeçari Gjoka kishte ndërhyrë për t’i ndarë. Kjo është edhe një nga pistat e ndjekura nga Policia, por burime nga hetuesit konfirmojnë se dy kushërinjtë kanë pasur konflikt dhe me punonjësit që po hapnin rrugën në fshatin Mavrovë.
Të dy kushërinjtë i kanë kërkuar llogari punonjësit të fadromës për vendin se ku duhet të kalonte rruga, në mënyrë që të mos prekej toka e tyre. Ndërsa Argjil Gjoka, si përfaqësues i Bashkisë Selenicë në detyrën e kryetarit të Njësisë Administrative Kotë, ka ndërhyrë për të qetësuar situatën, por mbeti i qëlluar me pistoletë.
Banorët të tronditur: Jetonte te vëllai, gruaja e djemtë janë në Greqi
Banorët e fshatit Mavrovë kanë mbetur të tronditur nga ngjarja e rëndë që ndodhi paraditen e së martës. Ata e njihnin administratorin si njeri punëtor, ndërsa për fisin Bejtja shprehen të rezervuar, duke lënë të nënkuptohet se opinioni i tyre nuk është aspak i mirë për ta.
“Administratori ishte njeri i mirë, na bëri dhe rrugën në fshat. Ndërsa ata të fisit Bejtja nuk i njoh, ata rrinë në pyll. Jam shumë e tronditur nga ajo që ka ndodhur”, shprehet një prej banorëve.
Ndërsa një banore tjetër, e prekur nga ngjarja, nuk i kursen fjalën e mira për viktimën, duke treguar se bashkëshortja dhe dy djemtë e tij jetojnë në Greqi.
“Djali u ngrit në mëngjes, ishte administrator, djalë i lagjes, erdhi këtu për të ujdisur fshatin, për të na bërë me rrugë edhe gjeti vdekjen. Si nuk na vuri një bombë dhe të shihte jetën e tij. Me atë të fadromës vajti për të hapur rrugën, por nuk e dimë konfliktin që ata kanë pasur. Nuk e di, na ka rënë si bombë. Fadromisti na e solli lajmin e keq. Administratori familjen e ka në Greqi, ishte i martuar me fëmijë. Gruan dhe dy djemtë i ka në Greqi, këtu rrinte te shtëpia e vëllait”, shprehet një e moshuar.
Një i moshuar tjetër tregon se Gjoka ishte përpjekur për zhvillimin e fshatit, duke u shtruar rrugë. “Ai është njeri i shenjtë, administratori. Ishte njeri i punës. Unë jam fqinj me fisin Bejtja dhe nuk e di se si ka ndodhur ngjarja dhe kush e ka vrarë. Ata nuk kanë pasur asnjë lloj debati me administratorin, se unë dje me ata isha. Nuk kanë pasur fare konflikt. Më përpara këtu ka qenë xhungël, e bëri fshatin e Mavrovës me rrugë”, thotë një tjetër banor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



