E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
U kap me armë në Vorë, kush është ish-i dënuari për drogë në Kroaci
Lajme

U kap me armë në Vorë, kush është ish-i dënuari për drogë në Kroaci

Sinjalizimi i qytetarëve se një person me precedentë penalë lëvizte i armatosur, ka rezultuar i saktë për Policinë e Tiranës, duke vënë në pranga një 30- vjeçar nga Vora.

 

I arrestuari është Ergest Hoxha, i dënuar më parë për trafik droge në Kroaci, por i proceduar edhe në Shqipëri për plagosje të rëndë me dashje. Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë dje se Hoxha u kap në flagrancë me një pistoletë pa leje, teksa lëvizte me një automjet tip “Audi” në rrugën dytësore në hyrje të Vorës.

Ergest Hoxha

Ergest Hoxha

Arrestimi i tij u realizua gjatë operacionit të koduar “Mesnata”, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë së Vorës. Gjatë kontrollit të automjetit të tij, në një çantë dore u gjet pistoleta me 7 fishekë, armë të cilën ai e mbante pa leje. Policia theksoi se Hoxha e kishte përfunduar prej pak kohësh dënimin me 6 vite burg që kishte vendosur një gjykatë kroate për trafik droge. Ai ishte arrestuar atje në vitin 2013, bashkë me një vajzë shqiptare, shtetasen Manuela M., pasi në makinën e tyre u gjet 24 kg heroinë.

OPERACIONI

“Finalizohet operacioni i koduar ‘Mesnata’, në fushën e armëmbajtjes pa leje. Qarkullonte me armë zjarri, vihet në pranga 30-vjeçari me precedentë penalë në fushën e narkotikëve dhe krimeve ndaj personit. Operacioni u krye nga Komisariati i Policisë Vorë. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë dhe një krehër me 7 fishekë”, njoftoi dje Policia e Tiranës. Mësohet se shërbimet e Komisariatit Vorë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas me precedentë penalë të mëparshëm qarkullonte me armë zjarri me vete, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Mesnata”.

Si rezultat i operacionit, në rrugën dytësore në hyrje të Vorës u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Ergest Hoxha, 30 vjeç, banues në Vorë, i dënuar më parë me 6 vite burg, ekstraduar nga Kroacia për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”, si dhe proceduar për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”. “Gjatë kontrollit të ushtuar në automjetin tip ‘Audi’, në çantën e dorës së këtij shtetasi Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me një krehër me 7 fishekë, që e mbante pa leje”, tha zyrtarisht Policia e Tiranës.

Hoxha u dënua në 2013 në Kroaci bashkë me një vajzë

Më 12 dhjetor të vitit 2013, Gjykata e Splitit në Kroaci e dënoi Ergest Hoxhën me 8 vjet burg, për trafikimin e 24 kg heroinë, të cilën e kishte transportuar nga Shqipëria drejt Kroacisë. Me po kaq vite burgim u dënua edhe shtetasja Manuela M., nga Lezha, e cila ishte arrestuar bashkë me të.

ergest

Në momentin që i është komunikuar vendimi, Hoxha ka filluar të komentojë në gjuhën shqipe duke thënë se një dënim të tillë nuk do ta kishte marrë as dikush që ka vrarë një njeri. Ndërsa vajza që u dënua në të njëjtën seancë është ndierë keq në momentin që është dhënë vendimi, pasi kishte edhe një vajzë të vogël, të sëmurë, që e rriste e vetme, duke qenë se ishte e divorcuar.

Gjatë deklarimeve që kishte dhënë në hetuesi, Ergest Hoxha e kishte marrë vetë përsipër fajësinë, duke thënë se drogën thjesht do e transportonte drejt Italisë, pasi kishte nevojë për para. Në këtë mënyrë, ai ka tentuar të heqë përgjegjësinë nga vajza që e shoqëronte, megjithatë askush nuk i ka marrë parasysh pretendimet e tij

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.