Çelja e negociatave, presidenti polak kritika BE-së për integrimin e Shqipërisë
Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda gjatë samitit që u zhvillua në Poznan, ku morën pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor, ka kritikuar BE-ne për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Pa Ballkanin Perëndimor, Evropa s’do marrë frymë lirisht”, u shpreh presidenti polak.
Kreu i shtetit polak tha se të dyja vendet kanë kaluar nëpër reformat të vështira për të përmirësuar shanset e tyre për anëtarësim në BE.
“Polonia nuk e pranon një situatë ku vendet e Ballkanit Perëndimor marrin pjesë në një garë ku finishi është i padukshëm. Jemi të detyruar të japim një datë të qartë në vend të deklaratave verbale. Ne ia kemi borxh këtë vendeve të Europës Juglindore. Ne nuk duhet të humbim kohë. Pa integrimin e Ballkanit Perëndimor, Europa nuk do të marrë frymë lirisht. Angazhimi i Polonisë ndaj Procesit të Berlinit vjen nga bindja e thellë e saj për rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për stabilitetin dhe zhvillimin e Europës. Ballkani është një pjesë integrale e Europës duke pasur parasysh pozicionin e tij gjeografik, kulturor dhe historik. Pa integrimin e Ballkanit Perëndimor, së bashku me traditat e bukura dhe kulturat e ndryshme, Europa nuk do të marrë frymë lirisht. Jam i vetëdijshëm për fjalët që po them, duke qenë president i një vendi që përdor fondet e BE-së dhe që do të të jetë i detyruar të ndajë këto burime me anëtarët e rinj në të ardhmen.
Polonia është një vend që mbështet politikën e zgjerimit të BE pasi mbështet një Europë solidare dhe transparente në vend të një Europe të paragjykimeve të ndërsjella, që kufizohet vetëm në interesa dhe frikëra të veçanta. Polonia sheh tek Procesi i Berlinit një format shumë të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit dhe dialogut, në kuadër të zgjerimit të mëtejshëm të Bashkimit Europian. Ne jemi të angazhuar në këtë iniciativë, që i jep një perspektivë të qartë europiane Ballkanit Perëndimor, duke nxitur njëkohësisht stabilitet dhe zhvillim në të gjithë Europën”, deklaroi kreu i shtetit polak, Duda.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



