Meta pa dorashka: Nga efekti i dopingut dhe të palarat e ambasadorëve….
Presidenti i Republikës Ilir Meta i është përgjigjur ashpër akuzave të bëra në adresë të tij nga kryeministri Rama, i cili e ka konsideruar atë si “tespie ne duart e Berishës”.
Gjatë intervistës së dhënë për emisionin “Tempora” të gazetares Sonila Meço, Meta thotë se “këto deklarata janë bërë nën efekte të caktuara, unë jam një politikan që nuk përdor doping”.
“Së pari mua vjen për të qeshur kur dëgjoj deklarata të tilla. Natyrisht që ato janë nën efektet e caktuara. Së dyti, unë jam një politikan që nuk përdor doping. Madje edhe sportin e lashë, sepse kisha përshtypjen që nëse do të bëhesha kampion, do të më duhej të përdorja pak doping. Dhe në këto kushte…”, thotë ndër të tjera Presidenti.
Pjesë nga intervista:
Gazetarja: Marrëdhënia juaj me Edi Ramën zoti Meta është e hershme. Le të themi që ka shenjuar një pjesë të rëndësishme të tranzicionit shqiptar dhe pluralizmit shqiptar. Një marrëdhënie me ulje-ngritje, e cila në momente të caktuara ka shenjuar dhe fatet e drejtimit politik.
Presidenti Meta: Marrëdhëniet e mia me të gjithë aktorët politikë në vend kanë qenë gjithmonë mjaft korrekte nga ana ime.
Gazetarja: Mund të shihet në dy këndvështrime ky raport sot si ai midis Presidentit dhe Kryeministrit, por jo pak opinioni publik e sheh si raportin midis dy individëve të rëndësishëm në një raport kompleks Rama-Meta.
Presidenti Meta: Nuk është e vërtetë. Kjo është prapë një shpikje ‘sorosiane’. Sot në Shqipëri ekziston vetëm një konflikt madhor, që është nëna e gjithë konflikteve…
Gazetarja. Cila?
Presidenti Meta: Është konflikti i Kryeministrit Edi Rama me pluralizmin politik, me demokracinë dhe me shtetin e së drejtës, që bazohet në ndarjen e pushteteve dhe në respektimin e ‘check and ballance’. Ky është problemi. Pastaj, ai që ka konflikt me median, kazanin siç e quan ai, apo me Presidentin kur si pëlqen. Kur i pëlqen thotë, – është më i miri që ka pasur Shqipëria. S’ka thënë të vërtetën sepse Shqipëria ka pasur gjithmonë Presidentë shumë të mirë. Problemet që ka me gjykatat. Kur gjykata jep një vendim që i intereson atij, thotë, – është shumë e mirë. Kur jep një vedim që s’i intereson atij, – e bën nul. Problemet që ka me Parlamentin, me të gjithë. Nuk është se kjo është diçka e re. Pra, ky është një njeri që nuk gjen dot rehat me demokracinë.
Gazetarja: Nuk gjen do të rehat, por edhe në deklaratat publike që keni bërë respektivisht në kohë të ndryshme, edhe kur keni qenë në kohën e ‘luftës së ftohtë’ mes jush, edhe kur keni qenë pas tretjes së mirë të ngjalave, ideja ka qenë që ju keni një raport personal interesant.
Presidenti Meta: Po të ishte për raporte personale, duhet të keni parasysh që raportet e mia me Berishën kanë qenë mjaft të vështira, pastaj më ndryshe, edhe me Ramën dhe me këdo. Unë po të nisem nga pozitat personale, kam frikë se do të kisha marrë vendime të tjera, por unë gjithmonë nisem nga gjykime politike dhe nisem në interes të vendit, dhe pranoj dhe atë rezultat apo ata interlokutorë që na jep qytetari shqiptar herë pas herë përmes zgjedhjeve që bëhen apo që bëheshin.
Gazetarja: Keni ngrënë një drekë që ju e përmendët para se të bënit komunikimin e parë publik me gazetarët. Çfarë është folur në atë drekë?
Presidenti Meta: Nuk ka ndonjë arsye për të thënë se çfarë është folur nëpër dreka apo darka.
Gazetarja: Po pse e përmendët atëhere?
Presidenti Meta: …ato janë dreka apo darka të tilla ku shkëmbehen mendimet të lirshme, të natyrshme.
Gazetarja: Përse e përmendët?
Presidenti Meta: Presidenti apo ndonjë politikan gjithmonë gjykohet nga veprimet e tij publike, nga ndonjë akt publik, nga qëllimet e mira, nga pasojat pozitive apo negative që ai jep. Qëllimet e mia kanë qenë tepër pozitive dhe nuk besoj se ka ndonjë suprizë për vendimin tim të shfuqizimit të dekretit të datës 30 qershor për arsye se unë që më 24 maj publikisht, kur kemi një reagim zyrtar të CDU / CSU-së të Bundestagut gjerman për krizën në Shqipëri, dhe që ata kërkojnë më të mirën e së ardhmes dhe të çeljes së negociatave të Shqipërisë, pra me gjithë situatën, të vendoset dialog, të shikohet mundësia e shtyrjes së zgjedhjeve vendore që ato të jenë gjithëpërfshirëse, të të ofrojnë madje që ata të marrin një rol moderues midis palëve, unë e kam shprehur publikisht, zyrtarisht, me deklaratë zyrtare, gatishmërinë time edhe për të rishikuar datën e zgjedhjeve vendore, pasi palët të binin dakord. Dhe vazhdimisht kam marrë iniciativa të tilla, edhe informalisht, sepse…
Gazetarja: Unë vazhdoj të këmbëngul.
Presidenti Meta: …sepse unë mendoj se është marrëzi që ne pas tridhjetë vitesh të shkojmë në zgjedhje pa opozitën.
Gazetarja: Do të shkoj edhe aty. Tani dua të qëndroj edhe pak te raporti me kryeministrin Edi Rama, sepse në momentin kur kreu më i lartë i shtetit…
Presidenti Meta: Unë raportet me të i kam shumë të mira kur nuk i preken interesat e tij. Kaq.
Gazetarja: Në fakt është e çuditshme: sa herë keni qenë bashkë i keni dhënë fitoren së majtës, sa herë jeni ndarë…
Presidenti Meta: Sa herë që ai i ka dëgjuar mendimet e mia, këshillat e mia, nuk i ka dalë keq. Sa herë i ka dëgjuar, jo vetëm të miat, por edhe të të tjerëve. Kur nuk i ka dëgjuar… Unë nuk i imponohem dot.
Gazetarja: Keni komunikime me zotin Rama?
Presidenti Meta: Komunikime në çfarë drejtimi?
Gazetarja: Ju dolët përpara publikut dhe folët për një drekë. Hani më dreka apo darka?
Presidenti Meta: Unë vazhdoj të pres.
Gazetarja: Institucionalisht e di që nuk ju përgjigjet.
Presidenti Meta: Ia kam çuar edhe me shkrim.
Gazetarja: Institucionalisht e di që nuk ju përgjigjet. Në nivel personal?
Presidenti Meta: Unë kam durim. Nuk jam i padurueshëm. Jam i durueshëm.
Gazetarja: Nuk jeni i padurueshëm. Ndërkohë që Edi Rama, dhe do të doja të ndiqnim një deklaratë të tij të bërë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit, të cilat i cilësoni votime dhe ende mbetet një verdikt nga Gjykata Kushtetuese për t’u kuptuar nëse ende janë të tilla, ja se çfarë ka deklaruar. Nuk ka të njëjtin durim zoti Edi Rama me atë që keni ju.
Ishte kjo deklarata e zotit Rama. E para: Ju jeni një tespie në duart e Sali Berishës. Dhe e dyta, në rast se do të rezultoni një “kokërr me gunga”, do të shkoni përpara drejtësisë.
Presidenti Meta: Së pari mua vjen për të qeshur kur dëgjoj deklarata të tilla. Natyrisht që ato janë nën efektet e caktuara.
Gazetarja: Të? Nën efekte të caktuara të?
Presidenti Meta: Së dyti, unë jam një politikan që nuk përdor doping. Madje edhe sportin e lashë, sepse kisha përshtypjen që nëse do të bëhesha kampion, do të më duhej të përdorja pak doping. Dhe në këto kushte…
Gazetarja: Është nën efekt dopingu zoti Rama kur bën këtë deklaratë?
Presidenti Meta: Më falni tani! Pse më bëni kaq shumë presion?
Gazetarja: Këtë punë ka gazetari zoti Meta.
Presidenti Meta: Së dyti, më vjen keq që ai nuk u ngrit as në nivelin e Ramiz Alisë, ku duhet të ishte ngritur për t’i dhënë mundësi opozitës për zgjedhje vendore, por kurrsesi as në nivelin e Doktorit, i cili në vitin 2006-07 u tregua fleksibël. Dhe tha: “Ore ky nëse me të vërtetë kërkon një certifikatë, hajde! Por ky nuk do që të hyjë në zgjedhje, etj., etj.”
Pastaj përsa i takon kësaj drejtësisë, në qoftë se ka ndonjë njeri që duhet të jetë vërtet i shqetësuar përsa i takon asaj, është pikërisht kryeministri aktual, sepse jam i sigurtë se dëmi publik që mund t’i ketë bërë kjo qeveri Shqipërisë me një koncension, nuk ia kanë bërë të gjitha qeveritë për gati njëzet e pesë vite. Të mos llogarisim ato qindra koncesione të pakontrolluara, një faturë dhe një pasojë shumë e madhe për të gjithë qytetarët shqiptarë në vitet që do të vijnë. Se çfarë kuptoni ju me drejtësinë është tjetër gjë, se çfarë kuptoj unë, pastaj është një gjë tjetër.
“Qytetarët shqiptarë të kuptojnë kush gënjen”- Meta paralajmëron: Do hap të gjitha letrat për disa ambasadorë në Tiranë
PJESË NGA INTERVISTA
Gazetarja: Zoti Meta, kur unë ju pyeta se kur nisi ‘Ramaformë”, ju thatë se nis që me zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, ose në vitin e parë jashtëkushtetues.
Presidenti Meta: Duhet të kemi parasysh dy gjëra, që të jemi shumë të sinqertë! Përpjekjet që kjo të ishte “Ramaformë” ishin që para konsensusit.
Gazetarja: Më thoni, më konkretisht!
Presidenti Meta: Konsensusi u vonua, sepse kjo nuk duhet të ishte miratuar më 21-22 korrik. Duhet të ishte miratuar që katër-pesë muaj më parë, që kur erdhën rekomandimet përfundimtare të Komisionit të Venecias.
Gazetarja: Pra shtyrjen ju e shikoni si një përpjekje për ta kthyer reformën në një “Ramaformë”?
Presidenti Meta: Shtyrja ishte një lojë që gjoja këta po lodheshin shumë; vinin te unë, shkonin te Rama. Ky përpiqej shumë që Lulzimi me Saliun do votonin drejtësinë, andej këndej. Një rrëmujë e paparë dhe nuk po merrej vesh se ç’po ndodhte këtu. Kur gjëja ishte shumë e thjeshtë. Unë e kisha thënë gjithmonë: Hajdeni të mblidhemi ne këtu! Se në Kuvend do të miratohet, te zyra ime! Të vijë këtu edhe Lulzimi! Të vijë këtu edhe Saliu! Të vijë këtu edhe Edi! Ja edhe ambasadorët ku i kemi këtu! Rekomandime e Komisionit të Venecias ne i kemi të qarta se si janë apo jo? Dhe ta zgjidhim këtë punë! Nuk kemi përse ta shtyjmë kaq shumë. Këta shty e shty në mënyrë që të vendosesh Kuvendi dhe shumë deputetë në njëlloj presioni. E duan, s’e duan reformën! Do të marrin viza apo jo!
Gazetarja: Ne i dimë edhe “sms-të” e ambasadës amerikane të dërguara në adresë të deputetëve të veçantë. Kanë qenë të qarta.
Presidenti Meta: Ndërkohë që mesazhi ka qenë mjaft i qartë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mënyrë të posaçme nga Ndihmëssekretari i Departamentit të Shtetit për Laë Enforcement, për Çështjet e Ligjit, që financon edhe OPDAT-in këtu, ambasadori Bronfild, që reforma të miratohet brenda korrikut. Dhe të miratohet me konsensus dhe vetëm me konsensus se ky është qëllimi. Të bëjmë një drejtësi të pavarur, etj. Këtu ju e dini se çfarë ndodhte dhe kjo bëhej që “Ramaforma” të bëhej me kushtetutë “Ramaformë”. Ajo është sot “Ramaformë”, por është në kundërshtim me Kushtetutën. Kushtetuta është këtu dhe ngelet këtu.
Gazetarja: Dje ju besoj se keni dëgjuar deklaratat e përfaqësuesve të rëndësishëm: të zotit Soreca, të zonjës Calavera, të së Ngarkuarës me Punë të ambasadës amerikane në Tiranë. Zoti Soreca ka kujtuar 42 milionë Eurot e hedhura për realizimin e reformës. Kryesuesja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit e ka cilësuar një reformë të suksesshme deri në momentin që ka arritur dhe duhet çuar edhe më tej, patjetër. Dhe e Ngarkuara me Punë e ambasadës amerikane, madje është shprehur se ekzaktësisht fakti që ka pasur këto probleme, dhe këto vonesë, si dhe mungesë të kuorumit të gjykatave në Shqipëri, edhe asaj Kushtetuese dhe të Lartë, tregon në vetvete se vettingu funksionoi dhe ishte i domosdoshëm. Pra ne nuk shohim asnjë rast nga përfaqësues të Bashkimit Europian, nga ONM-ja, nga amabsada amerikane, që të kenë këtë shqetësim që keni edhe ju, zoti President.
Presidenti Meta: Është çështje e tyre. Unë lexoj raportet e Departamentit të Shtetit edhe për çështjen e korrupsionit në Shqipëri, edhe për çështjen e krimit të organizuar, edhe për çështjen e drogës, e kështu me radhë. Shikoj edhe raportet e komisioneve europiane. Në rast se situata do të ishte kaq e suksesshme, të jeni të sigurt se ne do të na ishin hapur negociatat para një viti, para dy vitesh. Shpesh sot shumë njerëz thonë: Po ku shkoi ajo Kushtetuta që u bë me konsensus? Të paktën, unë them, të paktën, një rekomandim pozitiv për të çelur negociatat, kjo Kushtetutë ia dha Shqipërisë më 7 nëntor! Sepse vetëm konsensusi për miratimin e reformës ia dha këtë rekomandim pozitiv Shqipërisë. Unë shpresoj që ky rekomandim të kthehet në një vendim më 17-18 tetor! Po kam shumë dyshime serioze nëse kjo gjë do të ndodhë në rast se nuk reflektohet në drejtim të respektimit të parimeve të sundimit të ligjit në vend dhe të rikthimit të vendit në shinat e demokracisë.
Përsa u takon ndërkombëtarëve: Këtë Kushtetutë ne me kë e bëmë? A e bëmë me Komisionin e Venecias?
Gazetarja: Po!
Presidenti Meta: A e bëmë me ambasadorin Lu? Dhe me OPDAT-in? A e bëmë me ambasadoren Vlahutin dhe me BE-në?
Gazetarja: Po, dhe u realizua!
Presidenti Meta: A e bëmë edhe me të gjithë opozitën?
Gazetarja: Po!
Presidenti Meta: Po zbatimin, jo me këtë Kushtetutë, por me atë Kushtetutën tjetër, kush e ka bërë? E ka bërë Presidenti apo ish-kryetari i Kuvendit, Ilir Meta? E ka bërë opozita, se themi shpesh që i ka fajet opozita? Po a i dha votat e saj opozita për 140 votat? Sa janë votat e Partisë Socialiste në ato 140 votat më 21-22 korrik? 64, 65 vota janë! Votat e tjera ishin PD, LSI dhe partitë e tjera të opozitës. Përgjatë këtyre tre viteve si u zbatua kjo Kushtetutë? Nga 140 vota si përfundoi Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, që nuk ekziston në Kushtetutë, me 69 vota? Kur u ndërtua një proces për të thënë: Ore ne do të zgjedhim një Prokuror të Përgjithshëm, qoftë edhe të përkohshëm sipas frymës dhe standardeve të Kushtetutës, e cila e bën të qartë që nukmund të zgjidhet kurrë pa 84 vota? Si mundesh që përmes një ligji, të rrëzosh Kushtetutën?! Edhe më analfabeti në fushën e drejtësisë…
Gazetarja: Si e shpjegoni që quhet histori suksesi zoti Meta nga këta përfaqësues, të cilët kanë bashkëpunuar në realizimin e reformës në drejtësi? A nuk është ky një argument edhe për kryeministrin Rama për të thënë që kjo nuk është “Ramaformë”, por është reformë që mbështetet nga institucionet më të rëndësishme: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian?
Presidenti Meta: Ua thashë edhe më parë: Në rast se situata do të kishte ecur kaq mirë, do të ishin çelur që vjet. Në rast se gjërat po ecin kaq mirë sa ç’thoni ju, shpresoj…
Gazetarja: Po në rast se ngrihet SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit në shtator apo tetor, edhemund të hapen.
Presidenti Meta: …shpresojmë të na zgjidhet kjo çështje më 17-18 tetor dhe e uroj shumë! Meqë erdhëm te SPAK-u, mendoj që të jemi pak më të përgjegjshëm kur flasim në raport me qytetarët shqiptarë, sepse dëgjova para pak ditësh se në shtator do të fillojë SPAK-u dhe do t’ia nisë me çështje të nxehta. Gjëra që për mua nuk mund të thuhen kurrë, sepse këto histori na kujtojnë ato të ish-prokurorit të Përgjithshëm, që…
Gazetarja: Zoti Ibrahimi, në një intervistë me “Deutsche Ëelle-n” deklaroi që do ta fillojë me çështje të nxehta duke përmendur çështjen e ish-prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.
Presidenti Meta: …Kjo është një histori që le të vazhdojnë të merren me të gjitha çështjet…
Gazetarja: Është kreu i KLP-së, i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Presidenti Meta: … ajo që dua t’ju them është kjo gjë: Të mos kemi mungesë respekti për qytetarët shqiptarë! U tha që sa të ikë Adriatik Llalla, do të fillojnë çështjet e nxehta. Nuk ka çështje më të nxehtë se sa ajo e Unazës së Re! Pse? Sepse është ai popull atje që unë i kam parë të gjitha letrat, edhe pse institucionet e kanë me detyrim kushtetues, me një nen të Kushtetutës, që Presidentit të Republikës t’i japin çdo informacion që kërkon, por edheme aq sa kam parë, është një genocid në raport me të drejtat e njeriut sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Përveç që është një korrupsion i pacipë dhe i shfrenuar ku për fat të keq, kanë implikuar edhe një institucion amerikan, Departamentin e Delaëare-it, siç e dini ju, etj., etj. Nuk ka çështje më të nxehtë për atë. Nuk kemi se çfarë presim!
Gazetarja: Nuk e paragjykojmë dot. SPAK-u mund ta nisë me atë.
Presidenti Meta: Nuk po them unë se me çfarë ta nisë. Nuk jap unë orientime se me çfarë ta nisë. Unë përgjigjem për Kushtetutën e Shqipërisë. Kur thuhej sa të ikë ky, do të bëhet nami. Tani themi sa të bëhet kjo. Gjërat janë të qarta: Prokurori i Përgjithshëm, që u zgjodh me 69 vota, u zgjodh që në bazë të veprimeve që do të bënte, pra të njëanshme për fat të keq, dhe ju e dini se sa kontestime ka pasur edhe për KLP-në, madje edhe ka, se nuk dua të hyj në çështje më të thella, të krijojë një KLP. Po SPAK-u nga do të dalë? Të krijohet nga kjo KLP. Pra nga Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm. Shikojeni me logjikë këtë gjë! Shpresojmë që të bëjë mrekullira! Këtu do të jemi.
Gazetarja: Ai do të ngrihet. Në shtator, tetor është i përfunduar.
Presidenti Meta: Duhet të ishte ngritur me kohë.
Presidenti Meta gjatë intervistës së dhënë sot për gazetaren Sonila Meço ka përcjellë dhe një “mesazh të koduar”.
“Kim Philby nuk ishte sovjetik dhe as bashkëshortja e tij nuk ishte sovjetike. Kështu që unë jam i bindur që edhe aleatët tanë do t’i gjejnë Kim Philby-t e rinj, të cilët kërkojnë të komprometojnë imazhin e Shqipërisë si një vend demokratik dhe si një vend i qëndrueshëm në këtë rajon”, – ka deklaruar ndër të tjera Meta.
PJESË NGA INTERVISTA
Gazetarja: Dakord, por si President i Republikës, si kreu më i lartë i shtetit shqiptar, kur ju përmendi këto forca le të themi të jashtme, të cilat sipas jush kanë ndikim në atë që është duke ndodhur në Shqipëri….
Presidenti Meta: ….Patjetër, sepse situata në Shqipëri duhet të ishte shumë më normale…
Gazetarja: …E para, mos është një rënie edhe në pozitat – dikur e bënte edhe Kryeministri Rama, kur fliste edhe nga Brukseli për faktorë terciarë, të cilët mund të krijojnë destabilitet në Shqipëri. Ai asokohe përmendte Rusinë dhe faktorë të tjerë të lindjes, ju nga ana tjetër përdorni Sorosin? Mos është një rënie në pozitat e një konspiracioni tipik të vendeve të vogla, ku politika nuk mban dot përgjegjësitë e veta?
Presidenti Meta: Unë nuk vuaj dot nga këto gjëra, por një gjë e di mirë unë nga historia, besoj që e dini edhe ju, që Kim Philby nuk ishte sovjetik dhe as bashkëshortja e tij nuk ishte sovjetike. Kështu që unë jam i bindur që edhe aleatët tanë do t’i gjejnë Kim Philby-t e rinj, të cilët kërkojnë të komprometojnë imazhin e Shqipërisë si një vend demokratik dhe si një vend i qëndrueshëm në këtë rajon.
Dhe absolutisht do të reflektojnë, sepse precedenti i dorëzimit të mandateve nga ana e deputetëve të opozitës është i papranueshëm për mua si President dhe ka qenë dhe mbetet gjithmonë i papranueshëm edhe mosregjistrimi i tyre në zgjedhje është i papranueshëm.
Ashtu sikurse mos-hetimi i atyre dosjeve, 184, etj., është i tmerrshëm dhe askush nuk ka penguar, të paktën që nga ikja po themi e zotit Llalla edhe deri tani, pra dy vjet, për të mos treguar vullnet për të hetuar këto dhe për të hetuar dhe çështje të tjera e për të vënë përpara drejtësisë cilindo politikan, deputet, ministër, qytetar, drejtor, që ka marrë pjesë në një masakër zgjedhore apo është përfshirë me elementë të krimit të organizuar për shantazh, për blerje votash, etj., përpara drejtësisë, në qoftë se duam vërtetë domethënë që këtu të ketë një vend të sundimit të ligjit, edhe të sundimi të popullit. Dhe populli sundon vetëm përmes votës së lirë dhe të barabartë.
Gazetarja: Në fakt, mezi po presim krijimin e shtetit të së drejtës, sepse jemi bërë shtet vetëm i ligjit dhe ligji që ndërtohet siç po do sot vetëm një mazhorancë…
Presidenti Meta: Të ishte një mazhorancë do ishte mirë, por është i një personi.
Gazetarja: Dakord, të një personi. Ju thoni “deep state”, që do të thotë kapja e shtetit, shtet paralel, grusht shteti. Zoti Basha në fakt, pas deklaratës suaj lidhur me çështjen e Sorosit dhe ndikimit të kësaj organizate edhe në destabilitetin aktual shqiptar, është shprehur se nuk duhet ta kërkojmë fajin te faktorët e jashtëm.
Presidenti Meta: Sigurisht, disa faje ka edhe zoti Basha dhe opozita në këtë drejtim. E para, sa i takon reformës në drejtësi ata duhet të kishin qenë shumë më të qartë gjatë gjithë kohës që negocionin për reformën, duhet të mbanin shënime. Sepse ti shkon e flet me përfaqësues të EURALIUS, pastaj OPDAT, pastaj të ambasadës e pastaj ikën e flet një tjetër dhe thotë “jo po ramë dakord për këtë dhe nuk ramë dakord për atë”, këto janë çështje serioze.
E dyta, ai ka pasur gjithë përkrahjen time si Kryetar Kuvendi për të gjitha çështjet e drejta. Unë një herë e takova zotin Basha kur erdha nga SHBA, që u takuam te Rogneri, meqenëse mora një kërkesë që të insistoja sa më shumë për konsensus nga Ndihmës Sekretari i Shtetit. E takova dhe e pyes: çfarë do ti, sepse nuk po e kuptojmë këtë gjë, se më tha edhe zoti Vasili që kishte qenë në takim me zotin Rama e që ju kishit nja 5-6 kërkesa? Ai m’i tha dhe në fakt nga ato njëra ishte thelbësore, rekomandimi 86 nëse nuk gabohem që e kishte përmendur zoti Bylykbashi.
E pyeta se çfarë çështje ishte, sepse ai kishte edhe kërkesa të tjera që kishin lidhje me reformën zgjedhore, etj., dhe ma shpjegoi. I kam thënë shprehimisht: – Nëse më kërkon vetëm këtë gjë dhe ti voton këtë gjë zotëri, ti ke për ta marrë këtë kërkesë, por se mos më nxjerrësh ndonjë gjë tjetër? Jo, – më tha. – Ke folur ti, i thashë, me Doktorin, se mos thotë gjë ai? – Jo, më tha, edhe Doktori është dakord, nëse plotësohet kjo kërkesë ne do ta votojmë. – Këtë gjë ke për ta marrë i thashë, po se mos nxjerrësh ndonjë gjë.
Dhe unë e mbajta fjalën deri në fund për atë gjë, që ata e morën. Pastaj opozita – unë nuk i vë dot faj opozitës sepse e votoi reformën me 140 vota – LSI që sot është në opozitë, në atë kohë ishte në mazhorancë, votoi 7 ligjet me garancinë që ato 7 ligje nuk do të ktheheshin aty ku u katandisën. Dhe unë i kam thënë gjithmonë opozitës që ju duhet të vini me një qëndrim alternativ për reformën në drejtësi, sepse nuk mjafton vetëm kontestimi, që ne e kontestojmë këtë gjë. Dilni me një propozim tjetër, për rivendosjen e reformës në afate kushtetuese, që ishin shkelur dhe një iniciativë e tillë është marrë në fakt nga grupi parlamentar i LSI-së, pavarësisht se nuk është pranuar fare të shqyrtohet as për procedurë në Kuvend, por edhe opozita për mua ka ndjekur një rrugë jo normale.
Që do të thotë që Shqipëria sot ecën në dy rrugë pa pikë perspektive për t’u takuar.
Rruga e parë është rruga e kapjes së të gjitha pushteteve, rruga e dytë është deligjitimimi i çdo institucioni. Këto janë dy rrugë që i ndajnë shqiptarë, nuk janë dy rrugë që na ndihmojnë të jemi të bashkuar, as të hyjmë në Europë, as të kemi një jetë me të qetë, më të sigurt, më me perspektivë, etj. Kjo është artificiale, kështu që në këtë drejtim të dyja palët kanë përgjegjësitë e tyre dhe unë jam i qetë, sepse u kam dalë borxhit të dyja palëve.
Sa u takon ndërkombëtarëve, se vë re shpesh që thonë se Meta është kundër këtyre apo atyre. Unë kam një eksperiencë të gjatë me ndërkombëtarët, kam gati 30 vjet po themi, sepse edhe në Partinë Socialiste kam pasur një rol shumë të rëndësishëm, kam qenë Sekretar Ndërkombëtar, merresha me marrëdhëniet me jashtë që në vitin 1993. Tani, duhet ta kuptojnë të gjithë qytetarët shqiptarë, se ndërkombëtarët do të pranojnë atë lloj demokracie dhe atë lloj drejtësia që do të pranojnë qytetarët shqiptarë. Nuk duhet të mendojmë tani ne që ata nuk do t’i zërë gjumi pse ne e katandisim shtetin në këtë lloj situate.
Gazetarja: Qytetarët shqiptarë nuk kanë asgjë në këtë histori. Në ka më të padëgjuar në këtë histori janë qytetarët shqiptarë, pavarësisht se flitet në emrin e tyre….
Presidenti Meta: Prandaj unë kam dhënë këtë zgjidhje për këtë situatë që nuk është normale. Që ne kemi një Parlament, ky që është, që nuk duhet të ishte. Është edhe për faj të opozitës, por edhe për faj të atyre që e shtynë opozitën që të shkonte atje ku nuk duhet të shkonte. Është edhe për faj të gjithë këtyre situatave që kanë të bëjnë me 30 qershorin, edhe për shumë të tjera.
Mund të jetë edhe për fajin tim, nuk e përjashtoj këtë, pavarësisht se unë mendoj që i kam bërë të gjitha veprimet e mia, edhe kur kam qenë Kryetar i Kuvendit, dhe kam bërë çdo gjë si Kryetar Kuvendi që opozitë të mos dilte nga Parlamenti, edhe pse në atë kohë opozita ishte shumë më e parëndësishme në Parlament se sa tani. Sepse në atë kohë Rama-Meta kishin 84 vota, por prapë unë kam qenë shumë i durueshëm.
Pse? Sepse opozita duhet të jetë atje, sepse opozita fjalën ka dhe nëse e teproi me fjalë nuk u bë qameti. Qytetarët të ndëshkojnë me votë nëse e teprojnë me fjalë, por ne kemi për detyrë të sigurojmë këtë bashkëjetesë demokratike të lindur që në dhjetor të vitit ‘90 dhe ta forcojmë e jo ta vëmë atë në pikëpyetje dhe të ecim drejt kthimit të një partie-shtet.
Gazetarja: Megjithatë, ajo që kjo reformë në drejtësi ka prodhuar, të paktën deri tani pa paragjykuar se cilët kanë qenë faktorët që e kanë çuar deri aty, është që ne kemi të krijuar një shtet mono-partiak, një shtet të kapur….
Presidenti Meta: …Më fal, unë kam një pyetje për ju. Dje ishte 3-vjetori i reformës në drejtësi. Në cilin aktivitet ishte i ftuar Presidenti i Republikës?
Gazetarja: Nuk ishit i ftuar të përurimin e godinës së re të drejtësisë?
Presidenti Meta: Kryetari i Shtetit ku ishte i ftuar? Mirë si Kryetar Shtetit, po si ish-Kryetar Kuvendi?
Gazetarja: Nuk iu kanë ftuar?
Presidenti Meta: Po një meritë nuk e kam unë për këtë Kushtetutë që u bë me 140 vota?
Gazetarja: Nuk keni marrë asnjë ftesë?
Presidenti Meta: Nuk ka rëndësi kjo gjë. Mund të bëja dhe unë një aktivitet tjetër, por ç’të bëja unë, kur të bëja vetëm kritika….
Gazetarja: Pra, Presidenti i Republikës nuk është ftuar?
Presidenti Meta: Më vjen keq, unë nuk di të kem patur ndonjë ftesë. Dhe çfarë keni dëgjuar ju shqetësimet për reformën në drejtësi publikisht kohët e fundit, të cilat kanë ardhur pas ashpërsimit të krizës politike në vend, këto janë shumë pak nga sa kanë dëgjuar partnerët tanë në këto zyra kur vijnë e takohen me mua prej gati 2 vjetësh apo edhe më përpara që kam qenë në postin e Kryetarit të Kuvendit, në mënyrën më të hapur, më të ndershme, më transparente dhe më të dokumentuar.
Duke u thënë që shiko se kjo reformë po ecën në drejtimin e gabuar, ia kam thënë që në fillim të tetorit Drejtorit të Përgjithshëm për Zgjerimin të Komisionit Europian, zotit Danielsson, i cili është njeri shumë serioz. Pasi më ka folur për sukseset e reformës, për rezultatet e vetting-ut, i kam thënë dakord, por keni parasysh problemet që kemi. Se problemet më duket se nuk i keni të qarta. Një, dy, tre, katër, pesë. Jemi pa Gjykatë Kushtetuese i kam thënë, krahasuar me këto që po ua them juve, atij i kam dhënë shumë më tepër informacion atij. Dhe unë jam President i Republikës dhe njerëzit më pyesin mua se kur do kemi Gjykatë Kushtetuese. Nuk di çfarë t’u them, nuk di çfarë të bëj dhe kjo do ta përshkallëzojë situatën, por nuk është gjë e mirë.
I kam thënë, të lutem sill një mision nga BE-ja të bëjë një vlerësim të gjithë zbatimit të reformës. Si është reforma dhe si është zbatuar dhe çfarë mund të korrigjojmë në mënyrë që kjo të jetë një gjë e suksesshme për Shqipërinë në radhë të parë, të jetë e suksesshme edhe për ju, sepse ju doni një sukses, të jetë e suksesshme për të gjithë partnerët tanë….
Gazetarja: Dhe cila ka qenë përgjigja e tij?
Presidenti Meta: Unë mund të flas për atë që i kam thënë unë. Nuk kam të drejtë të them se çfarë përgjigje kam marrë apo nuk kam marrë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco





