E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kush janë politikanët që po tentojnë bllokimin e SPAK?
Publik News

Kush janë politikanët që po tentojnë bllokimin e SPAK?

 Prapaskenat për ndalimin e arrestimeve VIP, loja me afatet e ngritjes së KLGJ e KLP

Politikanë, gjyqtarë dhe prokurorë duket se janë trembur nga reforma në drejtësi. Vetingu shumë shpejt do nisë të japë efektet e para, por frika më e madhe e zyrtarëve dhe njerëzve të drejtësisë është ngritja e SPAK. Ky është organi kryesor i reformës në drejtësi, që do të sjellë arrestime në të gjitha nivelet dhe do i hapë vendit rrugën e integrimit evropian. Mirëpo, shenjat për ngritjen e këtij organi ende nuk janë dhënë. Më 31 gusht, sipas ligjit, SPAK duhej të ishte ngritur. Në ligjin për organet e luftës ndaj korrupsionit theksohet se në ditën e 300 të hyrjes së ligjit në fuqi, të gjitha dosjet e Prokurorisë dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda kalojnë te SPAK. Mirëpo nesër plotësohet ky afat dhe SPAK ende nuk është ngritur. Pyetja është pse? Në prapavijë duket se po punohet fort që ky organ të shtyhet sa më gjatë të jetë e mundur, në mënyrë që t’u jepet kohë të gjithëve të zhdukin çdo lloj gjurme abuzimi. Nëse shohim me kujdes veprimet e fundit në gjyqësor dhe politikë, duket se ka një skenar të mirëmenduar. Ligjet e reformës janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe nëse bllokohet njëri, nuk zbatohen dot të tjerët. Ngritja e SPAK nuk mund të bëhet dot pa u ngritur Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Këto janë dy organe që do përzgjedhin anëtarët e tyre. Po sipas ligjit, SPAK ngrihet 2 muaj pasi të jetë ngritur KLGJ me KLP. Momentalisht, këto dy organe janë në ngërç total. Së pari, Kuvendi nuk po gjen dot anëtarë nga radhët e pedagogëve. Por ajo që është më e rëndësishmja, është se 12 anëtarë nga prokurorët dhe gjyqtarët nuk po zgjidhen ende. Sipas ligjit, gjyqtarët kanë në KLGJ 6 anëtarë dhe këta zgjidhen nga Mbledhja e Gjyqtarëve. Deri më tani, kjo mbledhje nuk është bërë dhe sipas informacioneve, nuk ka asnjë plan edhe për disa ditë. Nga ana tjetër, prokurorët do kenë 6 anëtarë në KLP dhe ata duhet t’i zgjedhë Këshilli i Prokurorisë, por dhe ata nuk po i zgjedhin. Pra duket se ka një skemë të qartë zvarritje. Kjo do të thotë se sa më shumë zvarritet KLGJ me KLP, aq më shumë shtyhet ngritja e SPAK. Por duket se në këtë mes ka rol dhe politika, pasi ajo është më e rrezikuar. Në ligj ka një përcaktim që thotë se në rast se nuk bëhen këto dy mbledhje, është Kuvendi që i kërkon kreut të Gjykatës së Lartë dhe Prokurorit të Përgjithshëm të thërrasin Mbledhjen e Gjyqtarëve dhe Këshillin e Prokurorisë. Fakti që nuk është kërkuar tregon se dhe politika është e implikuar dhe e frikësuar. Ka disa politikanë që janë akuzuar për afera dhe janë me dosje, por dhe ka shumë të tjerë me pasuri marramendëse dhe të gjithë i tremben SPAK dhe po tentojnë bllokimin e saj.

Zvarritja nga ankimimet

Sado që gjyqtarët dhe prokurorët të tentojnë të zvarrisin KLGJ me KLP, ata janë të detyruar që të zgjedhin anëtarët, sepse do rrezikojnë të hedhin të gjithë reformën në erë. Por nëse ndodh kjo brenda shtatorit, falë presionit amerikan, ka një plan rezervë, që është Gjykata Kushtetuese. Unioni i Gjyqtarëve dhe i Prokurorëve dërguan në gjykatë 3 ligje: Ligjin e vetingut, të statusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe për organet e reja të drejtësisë, që janë KLGJ e KLP. Vëmendja është te vetingu, por rreziku më i madh reformës i kanoset nëse gjykata pranon ankimimin për ligjin e KLGJ dhe KLP. Një ndër nenet që ata kundërshtojnë, është neni 7, ku kërkojnë që të ndryshojnë kriteret për gjyqtarët. Po ashtu në nenet e tjera, ata kërkojnë rikompozim të të gjithë KLGJ e KLP. Kleçka qëndron te fakti se Kushtetuesja mblidhet më 28 shtator. Pra shtyrja e vendimit për në këtë datë ka pasur tjetër qëllim. Nëse vendimi merret në fund të shtatorit dhe pranohen ankimimet, do të duhen disa javë dhe muaj që të ndryshohen ligjet dhe kjo do e bllokojë ngritjen e KLGJ dhe KLP deri në fund të vitit. Por nga ana tjetër, kjo do të thotë se SPAK shtyhet për në mars. Duket se të gjitha palët po ecin me plan të mirëmenduar dhe synimi është që SPAK të shtyhet me më shumë se 6 muaj. Gjyqtarët dhe prokurorët janë bërë bashkë me politikën dhe reforma po luftohet nga të gjitha anët. Mbetet të shihet çdo të bëjnë amerikanët. /Kliti Topalli

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.