Paçi cipën të kujtoheni se nuk jeni në miting elektoral, por përballë qytetarëve të Europës
Shqipëria mori presidencën e OSBE-së.
Urime Shqipëri!
Në faqen e parë të organizatës, që punon për sigurinë dhe bashkëpunimin në Europë shfaqet foto e mëposhtme.
Rast i mirë për një vend për të shfaqur aftësi drejtuese në krye të një organizate ndërkombëtare, por edhe për të kthyer vëmendjen tek vendi i vogël, që e ka shumë të vështirë të luajë rol me ekonomi, politikë e inovacion në kontinent.
Dhe kur je mësuar me një lloj sindrome të liderit të madh, të një vendi të vogël e të varfër, që ka provuar të gjejë ngahera një lodër për të luajtur në teatrin e propagandës udhëheqësin “rajonal e global”, të vjen një urim i dytë: Qofshim të mençur të përdorim foton për punë të mëdha burrash shteti e jo krekosje instagrami dhe facebook-u si yjet e showbizit!
Pas kësaj i jep një të lexuar të mirë premtimeve të Ministrit në Detyrë të Punëve të Jashtme dhe Europës, Z. Gent Cakaj, publikuar në faqen zyrtare të OSBE-së e të vjen një urim tjetër: U ardhshin mendtë të bëjnë për Shqipërinë ato që premtojnë për kontinentin!
Në fjalën hapëse thuhet se:
Shqipëria angazhohet me përgjegjshmëri dhe vendosmëri për sigurinë, stabilitetin dhe mirëqënien e kontinentit (vini re fjalët “siguri”, “stabilitet” dhe “mirëqënie” të cilat nuk janë garantuar për rreth 2,8 milionë banorë në Shqipëri, por që zotohemi seriozisht për 742 milionë në Europë)
1. Në dimensionin politik, zgjidhja dhe parandalimi i konflikteve me veprime konkrete drejt zgjidhjes paqësore të krizave. Frymëzuar nga 30 vjetori i Kartës së Parisit për Europën e Re, Shqipëria angazhohet në rigjallërimin e dialogut mes vendeve të OSBE (ju lutem dalloni fjalët e togfjalëshat “konflikt”, “zgjidhje krizash”, “dialog” prej të cilave Shqipëria vuan prej vitesh e mbetet ndër vendet më të varfra në Europë)
2. Në dimensionin ekonomik, lufta ndaj korrupsionit dhe promovimi i mirqeverisjes do jenë prioritet absolut i kryesimit shqiptar të OSBE-së. Lufta ndaj korrupsionit është misioni kryesor i Shqipërisë në këtë kryesi, sepse korrupsioni nuk lejon rritje ekonomike, prodhon pabarazi dhe pandëshkueshmëri. Kjo do të arrihet me ndershmëri, vënie në shërbim të plotë duke respektuar normat dhe rregullat demokratike të Organizatës, premton kryesia shqiptare e OSBE-së (ju lutem lexoni disa herë fjalët “korrupsion”, “mirqeverisje”, “rritje ekonomike”, “pabarazi”, “pandëshkueshmëri” dhe ato të harruarat fare “ndershmëri” “rregulla demokratike” dhe “vënie në shërbim”)
3. Në dimensionin human, Shqipëria angazhon burime e forca në emër të tolerancës e mos-diskriminimit. (të lexojmë disa herë fjalët “tolerancë” e “mos-diskriminim”, jo thjesht si vlera shqiptarësh, por me idenë sa janë të ushtruara nga pushteti, që sot mban kryesimin e OSBE-së)
Dhe urimi i fundit: Paçi kurajon, cipën dhe përuljen të kujtoheni se nuk jeni në miting elektoral në Sheshin “Skënderbej”, por përballë qytetarëve të Europës, asaj Europe, që na ka lënë jashtë BE-së prej ekzaktësisht atyre, që premtoni sot, por nuk keni bërë deri më sot për shqiptarët!

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



