E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
SPAK ngre vetëm një akuzë ish-Prokurorin e Përgjithshëm
Publik News

SPAK ngre vetëm një akuzë ish-Prokurorin e Përgjithshëm

Prokuroria e Posaçme SPAK pritet të dërgojë në gjykim vetëm me një akuzë ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ndërsa u hetua për rreth dy vite për katër akuza, më të rëndat “Pastrim i produkteve të veprës penale” dhe “Shpërdorim detyre”.

Adriatik Llalla

Adriatik Llalla

Në 15 mars mbushen dy vite nga shënimi i procedimit penal ndaj ishKryeprokurorit dhe SPAK do të duhet të marrë një vendim përfundimtar për fatin e hetimeve brenda këtij afati.

Prokuroria e Posaçme nuk konfirmoi zyrtarisht mbylljen e hetimeve, por burime thanë se akuza e komunikuar Adriatik Llallës është ajo e parashikuar nga neni 257/a, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive” nga persona që kanë detyrimin ligjor për deklarim. Gjatë dy viteve hetime, Prokuroria u kishte dërguar letërporosi autoriteteve gjermane dhe atyre amerikane në lidhje me çështjen, përgjigjja e të cilave nuk bëhet e ditur e me sa duket nuk kanë pasur të dhëna të vlefshme për akuzat e tjera. Kujtojmë se Departamenti i Shtetit Amerikan e shpalli person non grata, me argumentin se ishte i përfshirë në raste të korrupsionit madhor.

HETIMET

Hetimet për ish-kreun e Akuzës nisën nga Prokuroria e Durrësit, më pas kaluan për kompetencë në Prokurorinë për Krime të Rënda, tani të emërtuar Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Në fokus të hetimeve ka qenë pasuria e Adriatik Llallës, ndërsa ka qenë materiali i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që çoi në nisjen e hetimeve.

Në korrik të vitit 2018, Gjykata e Krimeve të Rënda, me kërkesë të Prokurorisë, sekuestroi pronat e ish-Prokurorit të Përgjithshëm. Vendimi për sekuestrimin mbeti në fuqi edhe në Gjykatën e Apelit. Ndërkohë, me anë të një njoftimi për shtyp, Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se Llallës iu vendosën nën sekuestro një apartament 67 metra katrorë në Durrës dhe katër parcela toke me sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 22 mijë metrash katrorë.

“Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera, janë krijuar dyshime të arsyeshme se disa pasuri të paluajtshme në zotërim të shtetasit Adriatik Llalla përbëjnë produkt të veprës penale. Me vendimin nr.179, datë 20.07.2018 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, është vendosur pranimi i kërkesës së Prokurorisë, vendosja e masës së sigurimit pasurore ‘Sekuestro preventive’”, njoftoi Prokuroria rreth dy vite më parë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.