Meta bisedon me Manastirliun dhe Ademin: Forconi rritjen e masave
Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një bisedë telefonike me Prefektin e Qarkut të Shkodrës Çesk Millja dhe Kryetaren e Bashkisë, Voltana Ademi në kuadër të përkeqësimit të përhapjes së Covid-19.
Përmes një statusi në “Facebook”, ai deklaron se theksoi domosdoshmërinë e rritjes së efikasitetit të masave që duhen marrë për mbrojtjen e shëndetit të çdo qytetari.
Ndërkohë më tej, Meta tregon që ka biseduar edhe me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliun, të cilës i ka kërkuar forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis autoriteteve qendrore dhe vendore, që qytetarët të ndërgjegjësohen dhe izolohen.
Kreu i shtetit i ka ftuar qytetarët, në veçanti të Qarkut Shkodër, të respektojnë me përpikmëri protokollet shëndetësore, këshillat e stafeve të specializuara mjekësore, të ndjekin dhe të zbatojnë vetëm sugjerimet e institucioneve shtetërore.
Kujtojmë që Shkodra ka pasur një rritje të frikshme të të infektuarve ditët e fundit, pasi numri ka shkuar në 44.
Statusi i plotë:
Nisur nga përkeqësimi i treguesve të përhapjes së pandemisë COVID19 në Bashkinë dhe Qarkun e Shkodrës, zhvillova sot biseda telefonike me Prefektin e Qarkut, z.Çesk Millja dhe Kryetaren e Bashkisë, znj.Voltana Ademi.
U informova prej tyre për situatën dhe përpjekjet e autoriteteve vendore për të ndihmuar banorët e prekur dhe masat e marra për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.
Duke u shprehur solidaritetin dhe mbështetjen time për të gjithë banorët e Qarkut Shkodër të prekur nga COVID19, të cilëve ju uroj shërim të shpejtë, theksova domosdoshmërinë e rritjes së efikasitetit të masave që duhen marrë për mbrojtjen e shëndetit të çdo qytetari.
Për situatën në Bashkinë dhe Qarkun e Shkodrës, zhvillova sot edhe një bisedë telefonike me ministren e Shëndetësisë, znj. Ogerta Manastirliu.
Theksova rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit midis autoriteteve qendrore dhe vendore, me qëllim izolimin e përhapjes së mëtejshme të këtyre rasteve dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për respektimin e të gjitha udhëzimeve dhe kufizimeve të bëra publike për shkak të pandemisë globale COVID19.
Bashkëpunimi më i ngushtë midis qytetarëve dhe institucioneve është garanci kryesore për përballimin sa më efikas të kësaj pandemie.
Duke theksuar se shëndeti i çdo qytetari është prioriteti ynë absolut, dhe se në këtë situatë kërkohet përgjegjshmëri maksimale, bashkëpunim, profesionalizëm, përkushtim dhe transparencë, i ftoj edhe njëherë të gjithë qytetarët, në veçanti të Qarkut Shkodër, të respektojnë me përpikmëri protokollet shëndetësore, këshillat e stafeve të specializuara mjekësore, të ndjekin dhe të zbatojnë vetëm sugjerimet e institucioneve shtetërore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



