U kap me 860 mijë euro dhe patentën e Saimir Tahirit në makinë
Gjykata e Elbasanit dënon me 240 orë punë të detyrueshme biznesmenin Orest Sota, i arrestuar në vitin 2017.
Djali i biznesmenit Lefter Sota, u ndalua në hyrjen e kompanisë Kurum me 863 mijë euro cash në makinë, ndërsa më herët nuk i ishte bindur urdhrit të Policisë për të ndaluar. Nga kontrolli në mjetin e tij, Policia gjeti shumën e madhe të parave dhe dy patenta të ish-ministrit Saimir Tahiri.
Gjyqtari i Elbasanit Taulant Tava ka vendosur që të mos e dënojë Orest Sotën me 4 muaj burg për dy akuzat “Drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, i ka dhënë 6 muaj kohë të shlyejë 240 orë punë në komunitet, në Bashkinë e Tiranës.
Biznesmeni Sota qëndroi vetëm dy muaj në paraburgim kur u arrestua sepse falë një garancie pasurore prej 50 milionë lekësh, u la i lirë nën masën “Detyrim paraqitje”. Ndërkohë shuma prej 863 mijë eurosh është ende e sekuestruar, por dhe hetimet për të nën akuzën e “Pastrimit të veprës penale” pritet të pushohen pasi avokati i Orest Sotës ka dorëzuar në nisje të hetimeve një faturë bankare që provonte origjinën e parave.
Edhe vetë sota u shpreh se paratë do t’i dorëzonte në kompaninë Kurum për të blerë hekur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



