Rama “arratiset” drejt Malit të Zi, u lë “porosinë” studentëve: Dua dialog!
Kryeministri Edi Rama është nisur drejt Budvës, në Mal të Zi, ku do të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit, që zhvillohet më 21 dhe 22 tetor.
Takimi do të bëjë bashkë liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të partnerëve europianë, me synimin për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit rajonal, integrimin ekonomik dhe avancimin e rrugëtimit europian të vendeve të rajonit.
Nisja e Ramës drejt Malit të Zi vjen në një moment kur në Shqipëri vijojnë protestat e studentëve dhe të rinjve, të cilët kanë kundërshtuar qeverinë dhe kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për situatën në vend.
Përpara udhëtimit, kryeministri ka publikuar në rrjetet sociale një komunikim me një student protestues, përmes të cilit ka përcjellë një mesazh lidhur me kërkesat për dialog dhe kundërshtimin e dhunës.
“Dua dialog me këdo që beson se unë jam i keq, ama dhuna është një armik i lirisë së të gjithëve”, shkruan Rama.
Mesazhi i kryeministrit vjen ndërsa ftesa e tij për dialog është bërë pjesë e debatit publik, në një kohë kur protestuesit vijojnë të kërkojnë përgjigje për shqetësimet e tyre dhe zhvillimet politike në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



