Amerikanët shkarkojnë Gjin Gjonin
Përfaqësuesit e SHBA-BE dhe njerëzit e Vetingut kanë shkarkuar kokën e korrupsionit në drejtësi Gjin Gjonin, gjyqtari jep dorëheqjen sapo u njoh me vendimin, nuk pranon t’i lexohet dosja në publik
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian i kanë dhënë një tjetër goditje shkallmuese drejtësisë që kanë ngritur Ilir Meta dhe Sali Berisha, duke shkarkuar një nga ushtarët kryesorë të tyre.
Gjin Gjoni, i konsideruar nga ndërkombëtarët si koka e korrupsionit në drejtësi, një nga njerëzit më të fuqishëm të gjyqësorit, bashkëpunëtor i Ilir Metës në KLD dhe i besuar i Sali Berishës, nuk do të jetë më pjesë e drejtësisë. Gjin Gjoni ka vendosur që të japë dorëheqjen, një lëvizja taktike kjo sapo i është ngushtuar laku u Vetingut.
Sipas burimeve, Gjin Gjoni ka dhënë dorëheqjen pasi është njoftuar nga Vetingu për vendimin e shkarkimit. Përfaqësuesit e SHBA-BE në Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit dhe njerëzit e Vetingut kanë vendosur ditët e fundit shkarkimin e Gjin Gjonit nga detyra për pasuri të paligjshme me vlerë miliona euro.
Hetimet kanë zgjatur rreth dy vjet dhe janë shtritë në disa vende. Dy vjet më parë, Gjin Gjoni bëri një tjetër lëvizje për t’i shpëtuar Vetingut. KLD me në krye Ilir Metën, kokën e korrupsionit dhe krimit në Ballkan, i dha Gjin Gjonit një leje prindërore dyvjeçare. Këtë leje Gjin Gjoni e shfrytëzoi për të mbrojtur bizneset e gruas në Aeroportin e Rinasit, duke i rrëmbyer me forcë dyqanet Duty Free kompanisë amerikane ICDF, në bashkëpunim me Elton Haxhin dhe dy gjyqtarë KÇK Avni Sjedin dhe Mimoza Kajo Brahimin. Gjithashtu, gjatë këtyre dy viteve, Gjin Gjoni ka bërë shumë përpjekje dhe manovra, për t’i shpëtuar Vetingut. Pavarësisht lejet, Komisioni i Vetingut ka vijuar kontrollin, ndërsa në verifikimin e Gjin Gjonit mësohet se janë përfshirë përfaqësues të ONM.
Sapo laku i Vetingut është ngushtuar dhe duhej të caktohej data për të dalë para trupit gjykues dhe për t’u njohur me dosjen, Gjin Gjoni ka dhënë dorëheqjen, duke bërë një letër, ku thotë se Vetingu është politik. Në fakt e vërteta është se Gjin Gjoni nuk justifikon dot pasurinë që ka bërë me çekiçin e korrupsionit në dorë. Ai ka hyrë në drejtësi pa para, pa shtëpi dhe me ‘brekë të grisura’, ndërsa për disa vite u shndërrua në një nga njerëzit më të pasur të drejtësisë, ku vetëm një rezidencë në Tiranë e ka blerë për 700 mijë euro.
Gjin Gjoni posedon një pasuri me vlerë miliona euro të deklaruara dhe të fshehura. Lista e pasurive të paluajtshme dhe të llogarive të tij bankare është e gjatë, por për të kuptuar mënyrën e pasurimit të tij, po ndalemi tek disa fakte të thjeshta.
Gjin Gjoni, si të gjithë zyrtarët e lartë, e ka deklaruar për herë të parë pasurinë në vitin 2003. Për herë të parë, Gjin Gjoni ka deklaruar si pasuri vetëm një makinë ‘Benz’ në emër të vëllait, me vlerë 1 300 000 lekë dhe pagën si gjyqtar 930 600 lekë bruto. Gjin Gjoni, me këtë deklaratë, rezulton pa banesë, ndërsa nuk ka asnjë të dhënë se ku dhe si ka jetuar. Edhe këtë makinë thotë se e ka blerë më të ardhurat familjare dhe nga njerëzit e tij që ndodhen në SHBA.
Nga i pastrehë në 2003, në 2014 pasuria e deklaruar e Gjin Gjonit shkon mbi 1 milionë USD. Po gjatë vitit 2014, Gjin Gjoni u kallëzua penalisht nga ILDKPI për deklarim të rremë, falsifikim të dokumenteve, pastrim të produkteve të veprës penale etj.
Sipas ILDKPI, Gjin Gjoni, deri në vitin 2014, kishte fshehur mbi 2 milionë euro pasuri. Përveç të tjerave, sipas ILDKPI, Gjin Gjoni dhe bashkëshortja e tij, Elona Çaushi, vetëm gjatë viteve 2010-2012, kanë blerë një vilë me vlerë 700 mijë euro, dyqan 150 mijë euro dhe apartament 53 200 000 lekë me para të paligjshme. Normalisht, Gjin Gjoni i shpëtoi lehtësisht drejtësisë, pjesë e së cilës ishte vetë. Ai i çoroditi prokurorët me procedurat e tij.
Gjin Gjoni ka një version të tijin se si u shndërrua në një prej njerëzve më të pasur të drejtësisë shqiptare. Sipas tij, pasuria buron nga bashkëshortja, e cila është pronare e disa kompanive. Por, ky pretendim rrëzohet lehtësisht, pasi kompanitë e bashkëshortes së Gjin Gjonit, Elona Çaushi, rezultojnë me humbje të mëdha. Befas, pasi çifti martohet, kompanitë e saj lulëzojnë. Nuk ka asnjë dyshim se kompanitë e bashkëshortes janë thjeshtë një instrument i Gjin Gjonit për të pastruar paratë e korrupsionit që ka bërë me çekiçin e drejtësisë dhe kjo është vërtetuar me fakte dhe dokumente, pavarësisht se Gjin Gjoni i shpëtoi ndëshkimit, përmes procedurave.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



